KQZ informon po ashtu shqiptarët jashtë vendit se që nga data 11 janar 2025 në Platformën PER, tek Butoni “Ndihmë” gjenden videot, tutorialet dhe manualet ndihmuese për regjistrimin si votues nga jashtë.
“Lutemi aplikuesit t’i shohin me vëmendje para se të gabojnë me aplikimin e tyre si në fotot në vijim. Në PER mund të riaplikohet pa limit deri në 4 Mars 2025, ndaj KQZ sjell në vëmendje butonin ‘Ndihmë dhe Qendrën e Ndihmës Non-Stop të PER tek i njëjti buton’”, thuhet në njoftimin për shtyp të KQZ-së.
Hapat që duhen ndjekur për regjistrim:
1. Duhet të bëni gati letërnjoftimin, ose pasaportën tuaj të lëshuar nga shteti shqiptar. Sipas rastit, njërin prej këtyre dokumenteve do të duhet ta ngarkoni në PER.
2. Duhet të bëni gati një dokument i cili përmban adresën që ju do të deklaroni gjatë procesit të regjistrimit në PER. Adresa që ju do të deklaroni në PER duhet të jetë e njëjtë me atë që përmban ky dokument. Dokumenti duhet të jetë në emrin tuaj. Ky dokument duhet të ngarkohet në rubrikën përkatëse në PER. Kujdes! Nëse dokumenti i adresës përmban disa faqe, apo anë, sigurohuni që të ngarkoni faqen, apo anën e dokumentit e cila përmban adresën dhe emrin tuaj.
3. Letërnjoftimi apo pasaporta shqiptare nuk mund të shërbejë si dokument provues i adresës të vendqëndrimit tuaj në shtetin përkatës!
4. Nëse dokumenti i adresës nuk është në emrin tuaj, por është në emër të një familjari tuaj, atëherë ju mund ta ngarkoni këtë dokument, por bashkë me të duhet të ngarkoni edhe certifikatën familjare, ose një dokument tjetër që tregon që ju banoni në të njëjtën adresë me atë të personit në emër të të cilit është dokumenti i adresës.
5. Nëse regjistrimin do ta kryeni nëpërmjet aplikacionit KQZ nga telefoni juaj smart, sigurohuni që ky aplikacion të aksesojë kamerën e telefonit.
6. Të keni një numër celulari ose adresë e-mail të vlefshëm. Nuk ka rëndësi se i kujt shteti është numri i celularit.
Në rastin kur në PER ngarkoni një adresë e-mail dhe nuk merrni përgjigje nga KQZ, kontrolloni në “Spam”, ose “Junk”.
Për më shumë, përpara se të filloni regjistrimin në PER, konsultoni rubrikën NDIHMË, të cilën e gjeni sapo hyni në PER, sipër në krahun e djathtë të faqes së parë të PER.