Është zhvilluar online mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Elbasanit ku këshilltarët miratuan çështjet e rendit të ditës.

Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja, në nisje të mbledhjes, raportoi për situatën e krijuar nga pandemia dhe masat e marra për përballimin e saj.

Përveç 3800 familjeve përfituese të ndihmave ushqimore, sipas VKM, Llatja tha se janë identifikuar edhe një pjesë tjetër familjesh në nevojë dhe gjithashtu do të ndihmohen nga bashkia.

Këshilltarët kanë diskutuar gjithashtu edhe për gjendjen e bizneseve të vogla në këto periudhë karantine duke kërkuar masa lehtësuese.

Sa më sipër, Z. Llatja sqaroi se do të krijohen të gjitha lehtësirat e nevojshme për ato biznese që nuk kanë punuar këtë periudhë. Afati i pagesës së taksave vendore në fund të korrikut, i jep mundësi Bashkisë së Elbasanit të rishohë Paketën Fiskale dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme.

Kryetari i Bashkisë shtoi më tej, se pavarësisht situatës së krijuar nga Covid 19, punët e tjera publike dhe shërbimet ndaj qytetarëve nuk janë ndërprerë. Po diskutohet gjithashtu për strategjinë mjedisore për 3 vitet e ardhshme. Grupet e interesit dhe shoqatat e mjedisit po japin gjykimet e tyre në këtë drejtim.

Më tej në këtë mbledhje Këshilli Bashkiak miratoi Planin vendor për Integrimin e Pakicave Rome dhe Egjiptiane 2019-2020.

Ky plan është një zhvillim progresiv i Planit Kombëtar të Integrimit të pakicave Rome dhe Egjiptiane 2016-2020 si dhe Planit për Mbrojtjen Sociale 2018-2022 të miratuar nga Bashkia Elbasan në frymën e bashkëpunimit me projektin ROMACTED.
Ky projekt është financuar nga Këshilli i Europës dhe menaxhohet nga grupet e interesit.

Elbasaninews.tv