Një vatër zjarri përfshiu pesë ditë më parë një sipërfaqe të varrezave publike të qytetit të Elbasanit, në anën lindore të tyre. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, punonjësit e varrezave dhe shërbimi zjarrfikës ndërhynë në kohë për shuarjen e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.
Pas verifikimeve të kryera nga specialistët, u konstatua se zjarri nuk kishte ardhur si pasojë e ndonjë qiriu të lënë ndezur, por ishte një zjarrvënie e qëllimshme. Bashkia Elbasan njofton se ngjarja u denoncua menjëherë në organet përkatëse, ndërsa Policia e Elbasanit ka nisur procedim penal ndaj një 33-vjeçari, i cili, gjatë tentativës për të djegur disa shkurre pranë varrit të nënës së tij, ka humbur kontrollin mbi flakët, duke shkaktuar incidentin.
Megjithëse ndërhyrja për shuarjen e zjarrit ishte e shpejtë dhe e koordinuar, Bashkia Elbasan e konsideron këtë një ngjarje të rëndë dhe të dënueshme.
Autoritetet vendore përsërisin thirrjen për kujdes maksimal, sidomos gjatë stinës së verës kur rreziku nga zjarret është i lartë. “Një pakujdesi e vogël mund të sjellë pasoja të mëdha”, theksohet në reagimin e Bashkisë.