TIRANË, 22 maj/ATSH/- 22 Maji është shpallur nga Kombet e Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Diversitetit Biologjik, ose ndryshe e quajtur Dita Botërore e Biodiversitetit, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe të kuptimit më të thellë të çështjeve lidhur me biodiversitetin.
Për herë të parë kjo ditë është përkujtuar nga Komiteti i dytë i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 29 Dhjetor 1993, që shënon dhe datën e hyrjes në fuqi të Konventës së Diversitetit Biologjik.
Zonat e Mbrojtura janë oaz i biodiversitetit në Shqipëri, tanimë me një sipërfaqe të shtuar në 21% të territorit të vendit
Zgjerimi i Zonave të Mbrojtura në Shqipëri synon të rrisë integritetin e këtyre zonave, për gjendjen e paprekur të tyre, krahasuar me zona të tjera të vendit, për biodiversitetin e lartë, për habitatet e rralla që bartin.
Por sot më shumë se kurrë më parë, ekosistemet natyrore dhe shumëllojshmëria biologjike janë nën një rrezik serioz. Rreth 50.000 lloje biologjike kanë filluar të zhduken çdo vit.
Në nivel botëror, numri i llojeve të shpendëve është duke u zvogëluar, ndërkohë që 1/4 e të gjithë gjitarëve është nën një rrezik serioz zhdukjeje.
Ndikimi i njeriut krijon ndryshime të dukshme në mjedis. Shumë prej këtyre ndryshimeve ndodhin në mënyrë të shpejtë, gjë që e bën tepër të vështirë përshtatjen e llojeve, duke çuar në një zvogëlim progresiv të numrit të bimëve dhe të kafshëve.
Rreziqet kryesore me të cilat po përballet biodiversiteti janë humbja e habitateve natyrore, -fragmentimi i tokës, ndotja, mbishfrytëzimi dhe hyrja e llojeve jovendase, ndryshimi i klimës, shpyllëzimi etj.
Të dhënat nga terreni sot janë alarmante, flitet për zhdukjen e shumë llojeve bimore dhe shtazore.


























