E moshuara, Nife Pecaku, e cila fitoi betejën me koronavirusin, ka treguar historinë e saj. Nënë Nifja ka treguar se kishte pasur temperaturë e kollë, më pas ishte shtruar në spital.
90-vjeçarja tregoi se nuk ishte frikësuar aspak nga koronavirusi dhe se përgjatë jetës së saj kishte kaluar sëmundje edhe më të vështira.
‘‘Isha 7 ditë në spital. E kam kaluar në formën më të lehtë. Kur u shtrova më vunë oksigjenin derisa u shërova nga frymëmarrja. Në trup ndjeva dhembje. Kisha kollë, frymëmarrje të vështirë, edhe koka më dhimbte copa-copa. Unë vuaj nga diabeti dhe nga beli. Mendova se kisha veshkat, por doktori më ka tha se nuk ke veshkat por ftohje muskulore. Unë nuk u frikësova, se kam kaluar shumë situata të vështira. Nuk kisha frikë bash hiç. Kam qenë e vogël dhe kam kaluar grip e fruth, kolla e mire, me të dalë shpirti, e kam pasur për tre muaj. Në spital më bënë hyzmet shumë. Më bënë shërbim në kohë. Ia dola unë, ia dola mirë se erdha në kohë dhe u gjet ilaçi në kohë. Mesazhi im për bashkëmoshatarët është të mbajnë rregullat sikur thojnë të gjithë dhe dalin me sukses”-rrëfeu 90-vjeçarja në një lidhje direkte me Report Tv.