“Taksa e Bashës cenon ekonominë 99% të shqiptarëve”, tha sot deputeti i PS-së Ervin Bushati në një intervistë televizive, ndërsa theksoi se sot 91% e bizneseve në Shqipëri nuk paguajnë tatimfitim.

Duke folur për planin ekonomik të PD-së, Bushati tha se “Taksa e Bashës është më e mirë vetëm për ata që kanë një rrogë mbi 400 000 lekë ose 4 milionë lekë të vjetra në muaj. Sa i përket bizneseve, të vetmet që do të përfitojnë nga taksa e Bashës janë 11 000 biznese në Shqipëri”.

“Nga taksa Basha do të përfitonin vetëm 28 mijë subjekte, ndërsa ne përpiqemi të mbrojmë 99% të shqiptarëve. Taksa Basha cenon ekonominë e 99% të shqiptarëve”, theksoi ai.

Bushati shtoi se gjithçka që kemi thënë, e kemi bërë.

“Kemi folur për taksë progresive, atë kemi sot; kemi folur për një rrogë minimale të shtuar, është rritur sot; kemi folur për një biznes të vogël që taksohet më pak, 91% e bizneseve në Shqipëri nuk paguajnë tatimfitim. Ekonomia dhe shoqëria shqiptare sot është e hapur, vazhdon punën. Ne jemi gjendur pranë kujtdo. Nëse dikush do të parashikonte në datë 9 mars si do të ishim sot, nuk do ta kishte imagjinuar as në ëndrrën më të mirë që vendi do të kishte një funksion të ekonomisë dhe shoqërisë, kur e kemi parë që vende si Italia, Spanja, Anglia janë totalisht të bllokuara sot”, u shpreh Bushati.

“Ndërkohë që ne, përtej tërmetit, patëm edhe pandeminë, por Shqipëria e vogël, falë shoqërisë shqiptare, punës së mjekëve, por edhe falë ndonjë pune të mirë të qeverisë, nuk është e bllokuar. Shqipëria është me kokën lart dhe përtej tërmetit dhe pandemisë jeta nuk është te normaliteti, por nuk është bllokuar”, tha ai.