Në një konferencë për mediet sot në Tiranë, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, në interes të pyetjes së ATSH-së mbi impaktin e instrumentave mbështetës në rritjen e prodhimit dhe eksporteve, bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar eksportet bujqësore arritën në 330 mijë ton.
Ministri theksoi se skema kombëtare e mbështetjes vijon të jetë gjithëpërfshirëse, me fokus të veçantë në nxitjen e investimeve dhe rritjen e prodhimit vendas.
Duke sjellë një shembull konkret nga terreni, Salla përmendi zhvillimet në fshatin Hoxhaj, ku sipërfaqja me serra që aplikojnë mbrojtjen biologjike është rritur nga 40 në 55 hektarë brenda 6 muajve. “Mbështetja që kemi vendosur, në nivelin 70% të kostos për procedurat e mbrojtjes biologjike, do të vijojë, duke ulur kostot e prodhimit dhe duke rritur prodhimin cilësor”, deklaroi ministri.
Salla theksoi se kjo është një skemë gjithëpërfshirëse që synon afrimin me standardet e Bashkimit Evropian dhe që do të konsolidohet përmes rritjes së mbështetjes financiare për fermerët dhe agrobizneset.
“Po zgjerojmë mbështetjen për bujqësinë, veçanërisht për të rinjtë, për të nxitur investime të reja dhe për të rritur konkurrueshmërinë e sektorit. Synojmë përdorimin e teknologjive të avancuara në prodhim, përmirësimin e cilësisë sipas standardeve të BE-së dhe zbatimin e praktikave që garantojnë mbrojtjen e mjedisit dhe sigurinë ushqimore”, u shpreh ministri.
Ai shtoi se këto politika synojnë jo vetëm rritjen e eksporteve, por edhe zgjerimin e pranisë së produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare, duke krijuar mundësi shtesë për fermerët dhe agrobizneset.
Gjithashtu, ministri vuri në dukje rëndësinë e përmirësimit të aksesit në financim dhe të infrastrukturës bujqësore, si elementë kyç për përballimin e sfidave të tregut dhe rritjen e qëndrueshme të sektorit.
“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mbetet e angazhuar për të vijuar mbështetjen ndaj fermerëve, me synimin për ta kthyer bujqësinë në një sektor gjithnjë e më konkurrues dhe të orientuar drejt eksportit”, u shpreh Salla.



























