Në këtë ditë të rëndësishme për maturantët dhe për të gjithë sistemin arsimor, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka përcjellë një mesazh urimi dhe inkurajimi për të gjithë maturantët që i nënshtrohen provimeve të Maturës Shtetërore, si dhe për stafet e institucioneve arsimore që do të ndjekin mbarëvajtjen e këtij procesi.
“Është një proces i gjatë, keni punuar të gjithë, i keni kryer të gjitha detyrat, jeni stërvitur me testet model, testet provë, me orët e këshillimit me mësuesit, me përgatitje emocionale dhe sot kam kënaqësinë t’ju uroj me gjithë zemër mbarësi dhe shumë suksese”, tha ajo.
“Është një ekip shumë i madh sot me mësues, rreth 2 mijë mësues administratorë të provimeve, 170 përfaqësues nga ministria si monitorues, do të jenë sot me ju që mbarëvajtja e këtij procesi të jetë një sukses, prandaj sot me vete merrni vetëm buzëqeshjen tuaj, atë që ju duhet bashkë me besimin te puna që kemi bërë dhe përqafimin e familjes”, vijoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro, duke iu drejtuar maturantëve u shpreh se “me këtë sprovë që ju do të kaloni sot dhe në tre ditët e tjera të provimeve ju hapni rrugët e jetës suaj, qoftë në sektorin e punësimit e profesioneve të ndryshme që do të zgjidhni, apo në universitetet ku keni dëshirë të vazhdoni studimet tuaja”.
“Kudo nxënësit shqiptarë kanë shkëlqyer, prandaj ju keni punuar fort dhe ia keni dalë me sukses të vini në derën e provimit. Suksesi do të jetë me ju! Mos e humbni besimin, sepse jeni më të mirët”, tha ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro në mesazhin drejtuar maturantëve përpara fillimit të provimit të parë të Maturës Shtetërore.
Në të gjithë vendin janë 144 qendra provimi në shkolla. Mbarëvajtja e procesit do të mbështetet nga 2087 mësues administratorë dhe 170 monitorues të Ministrisë së Arsimit, ndërsa 650 vlerësues do të angazhohen në korrigjimin e testeve të Maturës Shtetërore.
/e.i/j.p/



























