ATSH/ Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare dhe një drekë pune në Pallatin “Elysee” në Paris, me ftesë të presidentit francez, Emmanuel Macron.
Agjencia për Media dhe Informim bëri të ditur sot se vizita zhvillohet në kuadër të dialogut politik të nivelit të lartë ndërmjet Shqipërisë dhe Francës, për forcimin mëtejshëm të partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Po ashtu, vizita fokusohet në dialogun për qasjen e re ndaj procesit të anëtarësimit, për të cilën kryeministri i Shqipërisë ka qenë një ndër zërat më nxitës, si edhe samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara.
Vizita vjen në vijimësi të takimeve ndërmjet dy liderëve, të cilët janë takuar zyrtarisht në Paris në prill 2024, si dhe në Tiranë në tetor 2023 dhe maj 2025, ndërkohë që janë zhvilluar rregullisht takime në formate të ndryshme multilaterale dhe kontakte telefonike.
Shqipëria vlerëson rolin e Francës dhe angazhimin personal të presidentit Macron në promovimin e një qasjeje të re ndaj Ballkanit Perëndimor dhe në mbështetjen e perspektivës europiane të rajonit.
Në këtë kontekst, vizita në Paris pritet të riafirmojë vullnetin e përbashkët për thellimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe për avancimin e mëtejshëm të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
/m.m/r.e/a.f/



























