ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë pjesëmarrjes sot në “Forumin e Paqes” në Paris, foli për veçoritë e protestave në Shqipëri, duke i krahasuar ato me lëvizjet e ngjashme në Itali dhe Francë.

Në një bashkëbisedim kushtuar zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe të ardhmes së brezit të ri, Rama u pyet se çfarë i dallon protestat në Shqipëri nga ato që po zhvillohen në vende të tjera evropiane dhe cili është motivimi i tyre specifik.

Kreu i qeverisë tha se protestat në Shqipëri kanë veçoritë e tyre, ndërsa bëri një dallim mes manifestimeve masive të fillimit të qershorit dhe episodeve të mëvonshme të dhunës.

Sipas tij, zemërimi që nxiti protestat lidhej me projektin e përfolur që përfshin Jared Kushner-in, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

“Në rastin tonë protestat kanë veçantitë e tyre. Në manifestimet masive të fillim qershorit pati një numër mjaft të madh njerëzish që vinin nga të gjitha fushat e jetës e që shprehnin shqetësime, të cilat erdhën për rrjedhojë të projektit që lidhet me Jared Kushner, pra dhëndrit të Donald Trump dhe ishte si një lloj shamie apo “flamuri i kuq” nxiti këtë zemërimin po të themi “të demit” në qytetin tonë”, u shpreh Rama.

Rama u ndal edhe te përshkallëzimi i protestave, duke theksuar se dhuna nuk përfaqësonte karakterin e manifestimeve fillestare.

“Nga kjo pastaj mbeti një numër shumë i vogël protestuesish që më vonë e përshkallëzuan në dhunë që sigurisht nuk është e pranueshme dhe që nuk ka të bëjë aspak e nuk ka të bëjë më me atë çfarë ishte protesta në fillim fare”, deklaroi ai.

Duke folur për situatën në Evropë, Kryeministri e cilësoi atë komplekse dhe vuri në dukje ndikimin e medieve sociale te të rinjtë, veçanërisht në mënyrën se si ata informohen dhe ndikohen nga përmbajtjet që qarkullojnë në këto platforma.

“Është një situatë komplekse në mbarë Europën që në fakt do ta përkufizoja dhe si përplasje midis botës reale dhe botës së medias sociale, prej nga ku shumë të rinj marrin informacionin apo edhe dizinformacionin apo të dyja e po kështu edhe frymëzimin për të përshkallëzuar në mënyra të cilat janë të papranueshme në një shoqëri demokratike”, u shpreh Rama.

/gj.m/r.e/a.f/ /a.g/