ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, zhvilloi sot një takim pune me punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), të cilët janë të angazhuar në menaxhimin e përditshëm të Parkut Kombëtar të Alpeve Shqiptare.
Sipas ministrit, në takim morën pjesë edhe ekspertë të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) në kuadër të projektit GEF/UNEP për forcimin e menaxhimit financiar të parkut, me të cilët sipas tij diskutuan hapat e nevojshëm për ta bërë këtë park më të qëndrueshëm, jo vetëm nga pikëpamja mjedisore, por edhe financiare.
Jaupaj bëri të ditur se një nga prioritetet kryesore është rritja e të ardhurave të parkut përmes mekanizmave inovativë, si Tourist Pass dhe shërbimeve të lidhura me turizmin natyror.
Sipas tij, këto të ardhura duhet të riinvestohen drejtpërdrejt në mbrojtjen dhe administrimin e parkut, për të përballuar sfida si menaxhimi i mbetjeve, degradimi i habitateve dhe rreziku nga zjarret.
“Një nga prioritetet kryesore është rritja e të ardhurave të parkut përmes mekanizmave inovativë, si Tourist Pass dhe shërbimeve të tjera të lidhura me turizmin natyror. Këto të ardhura duhet të rikthehen drejtpërdrejt në mbrojtjen dhe menaxhimin e parkut, duke na mundësuar të adresojmë më shpejt sfida konkrete si menaxhimi i mbetjeve, degradimi i habitateve dhe rreziku nga zjarret”, theksoi ai.
Ministri vlerësoi gjithashtu mbështetjen e përfaqësuesve të bashkisë Tropojë, të cilët, sipas tij, ndajnë të njëjtin vizion për një model modern dhe të qëndrueshëm të administrimit të Alpeve Shqiptare.
Jaupaj theksoi se, pas krijimit të Zyrës së Administrimit për Parkun Kombëtar të Lumit Vjosa, është koha që edhe Parku Kombëtar i Alpeve Shqiptare të ketë një strukturë të dedikuar administrimi.
“Një park kombëtar që shtrihet përtej kufijve të një qarku administrativ kërkon një strukturë të posaçme menaxhimi, që garanton koordinim më të mirë, vendimmarrje më efikase dhe mbrojtje afatgjatë të një prej thesareve më të çmuara natyrore të Shqipërisë”, shkruan Jaupaj.
/m.q/j.p/



























