ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Shqipëria është e gatshme të japë ndihmën modeste në kuadër të Bashkëpunimit Europian të Mbrojtjes Civile dhe të përgjigjet në rast se kërkohet, për përballimin e situatës së zjarreve në Francë dhe Spanjë.
Kryeministri Rama zhvilloi sot një takim në Bazën Ajrore të Farkës me zjarrfikësit dhe trupat e Emergjencave Civile, lidhur me sfidën e riskut të zjarreve nga temperaturat e larta.
Rama solli në vëmendje situatën me të cilën po përballet Franca dhe Spanja me zjarret ndërsa theksoi se zjarri nuk njeh kufij.
“Në Francë mbi 320 mijë njerëz i kanë lënë shtëpitë e tyre deri mbrëmë dhe vetëm në orët e fundit 55 mijë banorë janë evakuuar nga zona përreth Bordos, ku flakët kanë hyrë deri nëpër lagjet e periferisë. Në Spanjë 60 mijë njerëz kanë ikur nga zjarri në Sierra Oeste që thuhet se është zjarri i më i rëndë që ka njohur ndonjëherë Madridi në historinë e vetë. Vetëm në Francë, vetëm në territorin e Zhirondës, sipërfaqja e djegur ka kaluar shifrën 200 mijë ha. Një sipërfaqe më e madhe sesa bashkia e Tiranës”, nënvizoi Rama.
Ndërsa solli në vëmendje sakrificën e jashtëzakonshme të forcave zjarrfikëse në dy vendet europiane, Rama theksoi se “solidariteti i njerëzve që luftojnë kundër zjarrit nuk njeh kufij”.
“Kolegët tuaj francezë dhe spanjollë janë në një front ferri prej ditësh. Jam i bindur që i keni parë të nxirë nga bluza, të shtrirë për tokë buzë rrugës, me kokat e mbështetura mbi helmeta, në pamje të paimagjinueshme të sakrificës njerëzore në shërbim të jetës dhe të natyrës. Jam i bindur që askush nga ju nuk i shikoni ata si të huaj dhe nuk i shihni ato lajme si lajme nga bota, sepse ajo është pamja e një lufte të përbashkët, në një klimë të përbashkët gjatë sezonit të një vere të përbashkët. Sfida është e njëjtë”, tha Rama.
Kryeministri shprehu solidaritetin me ekipet e zjarrfikësve në Francë dhe në Spanjë. “Ne e kemi bërë edhe në të shkuarën falë jush dhe jemi gati ta bëjmë përsëri nëse na kërkohet të japim ndihmën tonë modeste në kuadër të Bashkëpunimit Europian të Mbrojtjes Civile. Do të përgjigjemi në rast se na kërkohet, siç jemi përgjigjur edhe më parë kur fqinjët tanë kanë qenë në hall të madh dhe siç na janë përgjigjur edhe miqtë europianë edhe fqinjët tanë, kur ne kemi qenë në të njëjtin hall”, shtoi Rama.
/a.f/



























