ATSH/ Shqipëria do të krijojë një sistem kombëtar të rezervave minimale të sigurisë për naftën bruto dhe nënproduktet e saj, me synim garantimin e furnizimit të tregut në rast krizash, ndërprerjesh të papritura apo situatash të jashtëzakonshme.
Sipas projektligjit të propozuar, rezervat e sigurisë do të ndërtohen gradualisht deri në një nivel prej të paktën 90 ditësh të importeve neto mesatare ditore ose 61 ditësh të konsumit të brendshëm mesatar ditor, duke u marrë si referencë niveli më i lartë.
Rezervat do të duhet të jenë fizikisht të disponueshme, të aksesueshme dhe të kontrollueshme në çdo kohë. Ato do të administrohen nga një Autoritet i posaçëm për Rezervën e Sigurisë së Naftës, i cili do të jetë përgjegjës për krijimin, blerjen, ruajtjen, administrimin dhe, kur të jetë e nevojshme, çlirimin e rezervave.
Projektligji parashikon edhe mundësinë që rezervat të ruhen nga operatorë ekonomikë përmes marrëveshjeve të shërbimit, ndërsa procedurat për blerjen, shitjen dhe ruajtjen do të zhvillohen duke respektuar parimet e transparencës, konkurrencës dhe mosdiskriminimit.
Financimi i sistemit do të mbështetet, ndër të tjera, përmes një tarife të vendosur mbi produktet energjetike hidrokarbure që i nënshtrohen akcizës, përfshirë karburantin e aviacionit. Tarifa do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Në rast të një ndërprerjeje të furnizimit ose të një rritjeje të konsiderueshme të çmimeve ndërkombëtare, Këshilli i Ministrave mund të vendosë përdorimin e rezervave të sigurisë, në përputhje me Planin Kombëtar të Reagimit. Ky plan do të përcaktojë kushtet, sasitë, llojet e produkteve dhe procedurat për çlirimin dhe rimbushjen e rezervave.
Kuadri i ri synon gjithashtu përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian dhe detyrimet në kuadër të Komunitetit të Energjisë.
Projektligji parashikon edhe masa administrative për shkeljet, me gjoba nga 2 deri në 10 milionë lekë, në varësi të natyrës së shkeljes, ndërsa për përsëritjen e tyre mund të vendoset edhe ndalimi i përkohshëm i aktivitetit.
/e.xh/a.f/



























