/ATSH/ Përfaqësuesit e sektorit të turizmit kundërshtuan rritjen nga 6% në 10% të TVSH-së për shërbimin e akomodimit, të parashikuar në paketën fiskale 2027, duke kërkuar rishikimin e propozimit dhe masa më të forta për formalizimin e tregut. Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, ata propozuan gjithashtu unifikimin e normës së TVSH-së në 10% për akomodimin, ushqimin dhe pijet.
Kryetari i Shoqatës së Turizmit, Zak Topuzi, tha se sektori po përballet me presionin e zhvlerësimit të euros, rritjes së pagave dhe çmimeve të lëndëve të para. Sipas tij, bizneset operojnë kryesisht në euro dhe nuk mund t’i përcjellin të gjitha rritjet e kostove te çmimet, pa rrezikuar konkurrueshmërinë dhe cilësinë e shërbimit.
Topuzi vlerësoi se turizmi përfaqëson rreth 44% të eksporteve shqiptare dhe se lehtësitë fiskale kanë ndihmuar në zgjerimin e sektorit. Si shembull, ai përmendi uljen e TVSH-së për akomodimin në 6%, të cilën e lidhi me rritjen e numrit të turistëve nga 4,7 milionë në vitin 2016 në mbi 12,4 milionë, si dhe të të ardhurave nga 1,4 miliardë në 5,7 miliardë lekë.
Sipas tij, në vendin tonë ka rreth 285 mijë shtretër akomodimi, ndërsa rreth 131 mijë prej tyre, ose 47% e kapacitetit, operojnë në informalitet. Ai kërkoi që përparësi të jetë formalizimi i tregut, duke theksuar se rreth 90% e rezervimeve në hotele kryhen përmes kartave bankare dhe se komisionet e platformave të rezervimit dhe të bankave rëndojnë kostot e bizneseve.
“Mendoj se zgjidhja më e mirë është 6% dhe formalizimi i tregut. Evropa nuk ka të ulur vetëm TVSH-në e akomodimit, por edhe për ushqimin. Mali i Zi ka 7% akomodimin dhe 7% edhe ushqimin, Italia i ka 10/10, Greqia e ka 10% akomodimin dhe 13% ushqimin. Ne humbasim konkurrueshmërinë nëse mbajmë këtë nivel taksash”, tha Topuzi.
Edhe përfaqësues të tjerë të sektorit kërkuan që ndryshimet fiskale të shoqërohen me masa konkrete kundër informalitetit. Eksperti i turizmit, Dionis Sota, paralajmëroi se rritja e barrës tatimore nga 6% në 10%, pa adresuar aktivitetin informal, mund të thellojë pabarazinë mes bizneseve që zbatojnë detyrimet fiskale dhe atyre që operojnë jashtë skemës.
Kreu i Operatorëve Turistikë në Sarandë, Arben Cipa, u shpreh se sektori ka humbur rreth 30% të të ardhurave vetëm për shkak të kursit të këmbimit, ndërsa e cilësoi TVSH-në si një faktor që ndikon drejtpërdrejt në aktivitetin e përditshëm të bizneseve.
Ndërsa kreu i Shoqatës së Turizmit në Durrës, Eduart Xhepa, kërkoi shtyrjen e afatit për zbatimin e paketës fiskale dhe zhvillimin e konsultimeve të mëtejshme me specialistët e sektorit. Ai argumentoi se, nëse TVSH-ja për hotelerinë rritet në 10%, e njëjta normë duhet të zbatohet edhe për ushqimin dhe pijet, pasi norma aktuale prej 20% për restorantet krijon diferenca në trajtimin fiskal të shërbimeve.
Në të njëjtën linjë, Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, kërkoi një normë të unifikuar prej 10% për akomodimin, ushqimin, pijet dhe transportin brenda strukturave akomoduese. Sipas tij, unifikimi i normave do të ndihmonte edhe në luftën kundër evazionit fiskal, pasi diferencimi aktual krijon hapësira për abuzime.
Kryetarja e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Milva Ekonomi, tha se shqetësimet për informalitetin në turizëm janë ngritur edhe në diskutime të mëparshme në komision. Ajo bëri të ditur se kërkesat e paraqitura nga përfaqësuesit e sektorit do t’i përcillen për diskutim Ministrisë së Financave.
Seanca dëgjimore me grupet e interesit zhvillohet në kuadër të konsultimit për projektligjin “Për Buxhetin e vitit 2027” dhe projektligjet e paketës fiskale që e shoqërojnë atë.



























