ATSH/ Fondet e mbledhura në konferencën e Donatorëve në Bruksel administrohen nga vetë donatorët.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në nënshkrimin e memorandumit për fillimin e programit të financimit të Bashkimit Europian si donatori kryesor i Konferencës së Solidaritetit në Bruksel, për restaurimin dhe rijetëzimin e monumenteve të kulturës të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

“Bashkimi Europian përmes instrumenteve të vetë dhe në këtë rast në bashkëpunim me një strukturë të posaçme të Kombeve të Bashkuara do të administrojë nga pikëpamja tekniko financiare të gjithë programin qoftë për trashëgiminë kulturore, qoftë për shkollat me  shkollat me një instrument tjetër dhe paratë e taksapaguesve europianë janë përgjegjësi e drejtpërdrejt administrimi e vetë Bashkimit Europian”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ka një keqkuptim, të madh tek një pjesë e atyre që sytë i kanë, por nuk duan të shohin, veshët i kanë po nuk duan të dëgjojnë , mendjen e kanë po nuk duan ta venë në punë”.

“Kush thotë dhe përsërit e si në jerm ku shkuan paratë ku i çuat paratë, pse i vodhët paratë që u dha bota duhet të hapë veshët dhe ta vërë mendjen në lëvizje për të dëgjuar këtë fakt shumë të thjeshtë. Të gjitha fondet e solidaritetit europian janë fonde që administrohen nga pikëpamja financiare nga vetë BE-ja, nuk janë një  thes që na i dhanë ne pas konferencës dhe ne e morëm e tretëm siç u thotë fantazia atyre që do kishin bërë këtë gjë nëse do të kishin mundësi ta bënin, ose që mund ta kenë bërë me paratë e shqiptarëve në të shkuarën edhe kujtojnë  se jemi të gjithë njësoj”, – nënvizoi Rama.