ATSH/ Zyra Postare qendrore në Elbasan i është nënshtruar projektit të rehabilitimit të plotë të zyrave në infrastrukturën e brendshme dhe të teknologjisë, me qëllim përmirësimin rrënjësor të ofrimit të shërbimeve në kushte bashkëkohore dhe standarde cilësore për qytetarët.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bën të ditur se, “Zyra Postare qendrore në Elbasan i bashkohet listës së objekteve të rikonstruktuara duke ofruar 11 sportele me mjedise dhe infrastrukturë moderne shërbimi për 118 000 banorët e kësaj zone”.
Denaj ka publikuar një sërë fotosh nga ambientet e Zyrës Postare qendrore në Elbasan, ku pasqyrohen dy realitete krejtësisht ekstreme, të gjendjes së shkatërruar që ishin më parë dhe sot pas investimit, me ambiente moderne dhe kushte të përmirësuara shërbimi për qytetarët.
“Në Zyrën Postare qendrore në Elbasan ofrohen 20 shërbime postare dhe financiare dhe kryen 31 762 veprime çdo muaj”- shprehet Denaj. /a.a/