Prodhimi i shegëve është një nga drejtimet që po shihet me shumë interes nga sipërmarrësit e rinj, krahas atyre të bimëve mjekësore dhe aromatike apo frutave të pyllit, që janë shumë të kërkuara në tregun vendas dhe për eksport.
Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) Frida Krifca vizitoi në Okshtun të Rrogozhinës, pemëtoren me shegë, një investim i ri, që Emiri e ka ngritur me mbështetjen e AZHBR-së.
“Ermiri është nga ata të rinj që e fillojnë punën në pesë të mëngjesit. Që ka ëndrra të cilat i bën realitet nëpërmjet punës në vendin e vet dhe pse ka opsione. Ka mbaruar Shkencat e Natyrës për matematikë por i pëlqen zhvillimi rural. Filloi me blegtori mirëpo, mungesa e hapësirës së mjaftueshme për gjedhët e bëri të ndryshojë kah pa iu larguar bujqësisë’-shprehet Krifca.
Me vrull dhe dëshirë për zhvillim, investon në ngritjen e një pemëtore në zgjerim në Okshtun të Rrogozhinës.
Me mbështetjen e AZHBR nëpërmjet Programit IPARD ka mbjellë 23,6 hektarë shegë me një impiant te automatizuar ujitje.
“Synimi i Ermirit është prodhimi sa më i lartë dhe shtimi i sipërfaqes së mbjellë me kultura të ndryshme. I yni, që të tilla sipërmarrje të shtohen”- shprehet Krifca.
Vitet e fundit është shtuar interesi i bizneseve të ndërtimit për t’u diversifikuar në sektorin e bujqësisë, kryesisht në pemtari.
Bujqësia përbën rreth 20% të prodhimit të brendshëm bruto të vendit dhe pesha e saj ka ardhur në rritje vitet e fundit, falë investime me mbështetjen financiare nga qeveria.



























