ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, u bëri thirrje të rinjve të aplikojnë në Programin Kombëtar të Praktikave të Punës – Thirrja XI, një nismë që synon t’u ofrojë të diplomuarve eksperiencë profesionale dhe mundësi punësimi në administratën publike.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Malaj bëri të ditur se programi është i hapur për të rinjtë e moshës 21–29 vjeç, të cilët kanë përfunduar studimet Bachelor ose Master.
Sipas ministrisë, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndjekin një praktikë pune 3-mujore, të trajnohen nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA), të përfitojnë kompensim financiar, si dhe të kenë mundësi punësimi me kontratë 1-vjeçare, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Je 21–29 vjeç dhe ke përfunduar studimet Bachelor ose Master? Kjo është mundësia për të nisur karrierën tënde në administratën publike. Ministria e Financave mirëpret të rinjtë të bëhen pjesë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës – Thirrja XI, një mundësi për të fituar eksperiencë profesionale, trajnim dhe për të ndërtuar një të ardhme në shërbimin publik”, tha ai.
Aplikimet për Programin Kombëtar të Praktikave të Punës – Thirrja XI janë të hapura deri më 16 gusht 2026 dhe kryhen online në portalin praktika.rinia.gov.al. Programi synon të krijojë një urë lidhëse mes arsimit të lartë dhe tregut të punës, duke përgatitur të rinjtë për një karrierë në administratën publike.
/e.xh/a.f/



























