ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në bazë të programit ekonomik të Partisë Socialiste janë rritja ekonomike, e pagës minimale dhe lehtësimi nga barra fiskale e qytetarit me pagë deri në 40 mijë lekë.

Gjatë një takimi me skuadrën e kandidatëve të Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, kryeministri u shpreh se po ashtu do të rishikohet niveli i taksimit për pagat deri në 2 milionë lekë, ndërsa ka rikonfirmuar se taksat për biznesin e madh nuk do të ulen, por qeveria, tha ai, do t’i mbështesë ato përmes procedurave lehtësuese.

“Programi ekonomik i PS parashikon një rritje të mëtejshme të ekonomisë dhe rritjen e pagës minimale me synim rritjen në 40 mijë lekë. Ashtu si dhe mos taksimin deri në këtë nivel, çka bën që 67 % e njerëzve që sot punojnë dhe paguhen deri në 40 mijë lekë të mos paguajnë më tatimin mbi të ardhurat personale”, tha Rama.

Po ashtu, kryeministri tha se në program kemi parashikuar rishikim të shkallës së progresivitet.

“Paga deri në 2 milionë lekë do të pësojë ulje të taksës mbi të ardhurat personale, një problem që e kemi hasur me ata që përkasin një shtrese menaxherësh në ekonomi dhe që kanë paga mbi 1.5 milionë“, deklaroi kryeministri.

Në të njëjtën kohë, ai u shpreh se nuk do të ulet tatim fitimi për biznesin e madh.

“Ne nuk do të ulim tatimfitimin për biznesin e madh, por do të garantojmë të jetë i mbështetur me të gjitha aspektet që janë të nevojshme për klimën, konkurrueshmërinë e sigurinë e tij në raport me administratën”, theksoi kryeministri.