Në një njoftim, Autoriteti i Konkurrencës bën të ditur se, “janë gjobitur ndërmarrja “AGRO BLEND” SHPK dhe “MBM” SHPK përkatësisht në shumën 2 milionë lekë dhe “ÇAÇA” SHPK në shumën 500 mijë lekë”.
Konkurrenca nënvizoi se nga vlerësimi i sjelljes së ndërmarrjeve të inspektuara rezultoi se: ndërmarrjet AGRO BLEND SHPK, MBM SHPK dhe ÇAÇA SHPK kanë realizuar sjellje të koordinuar në kundërshtim me ligjin “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, të ndryshuar, duke importuar plehrat kimike: Hidrogjenortofosfat diamoni (DAP), Nitrat dhe URE në fillim të vitit 2021, dhe duke hedhur këto produkte në treg me çmim të rritur nga muaji shkurt 2021 e në vijim.
Masa e gjobitjes nga e Autoritetit të Konkurrencës vjen pas lënies për zbatim të disa masave të përkohshme që ishin rekomanduar më herët për të njëjtat kompani me një vendim të marsit të këtij viti.
“Në rast të moszbatimit të masave të përkohshme brenda afateve të përcaktuara në këtë vendim, Komisioni i Konkurrencës vendos gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore, deri sa ndërmarrjet të veprojnë në përputhje me vendimin për masat e përkohshme, në zbatim të nenit 76, pika 1, gërma b) të ligjit nr. 9121/2003””, thuhet në vendimin e Konkurrencës. /j.p/


























