ATSH/ Programi “Grant 2026” ka regjistruar mbi 1 mijë aplikime nga të gjitha qarqet e vendit, duke reflektuar rritjen e interesit për sipërmarrjen inovative dhe zgjerimin e ekosistemit të startup-eve përtej Tiranës.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia për Media dhe Informim (MIA), aplikimet dëshmojnë një angazhim në rritje të të rinjve, inovatorëve dhe sipërmarrësve për zhvillimin e ideve me potencial për t’u shndërruar në biznese të suksesshme.

Tirana vijon të mbetet qendra kryesore e startup-eve, me 924 aplikime, ndërsa interesi për programin po shtrihet gjithnjë e më shumë edhe në qarqet e tjera të vendit.

Pas kryeqytetit renditet Shkodra me 88 aplikime, e ndjekur nga Durrësi me 63, Vlora me 30, Fieri me 22, Elbasani dhe Korça me nga 18, Gjirokastra me 16, Berati me 13, Lezha dhe Kukësi me nga 10, ndërsa Dibra numëron 7 aplikime.

Programi “Grant 2026” synon të mbështesë startup-et me potencial zhvillimi, si dhe projektet inovative e teknologjike, duke nxitur krijimin e bizneseve të reja dhe forcimin e një ekonomie moderne, konkurruese dhe të bazuar tek inovacioni.

Shifrat konfirmojnë rritjen e interesit për sipërmarrjen inovative, zgjerimin e ekosistemit të startup-eve në të gjithë vendin, si edhe krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë dhe bizneset e reja.

Programi synon të shndërrojë idetë inovative në histori suksesi, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në forcimin e kulturës së inovacionit në Shqipëri.