Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi sot me 2 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga postet publike, ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, i cili bëhet kështu zyrtari më i lartë shqiptar i dënuar ndonjëherë nga një gjykatë në vend.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar pretencën e SPAK duke mbyllur çështjen në shkallë të parë.
SPAK kishte kërkuar dy vite burg dhe 5 vite përjashtim nga funksioni publik për Adriatik Llallën. Pasuritë e ish-kreut të organit të akuzës, gati 22 mijë metra katrorë truall dhe një apartament në Durrës, i kalojnë shtetit.
Ish-kryeprokurori Llalla akuzohet për disa veprat penale që përfshijnë “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” në tre raste.
Adriatik Llalla u hetua edhe për pastrimin e parave, por në finale ai u dërgua për gjykim vetëm për fshehje të pasurisë.
Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku. Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.



























