Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se zgjedhja e Shqipërisë anëtare në Këshillin e Sigurimit të OKB-së rikonfirmon një standard të ri besueshmërie, maturie dhe respekti ndërkombëtar për Shqipërinë

Në pritjen zyrtare me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, akademikë, ministra dhe ish-ministra të jashtëm, Kryeministri Edi Rama tha se zgjedhja për herë të parë e Shqipërisë si anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është padyshim jo thjeshtë një sukses i madh, më i madhi për nga përmasat e impaktit në historinë e diplomacisë shqiptare, por edhe një arsye e dobishme për të kuptuar se pavarësisht përmasave të vendit tonë në çdo aspekt, Shqipëria mund dhe duhet të bëjë më shumë për veten dhe për të tjerët, sidomos për rajonin tonë.

“Në vendimin e 11 qershorit të Asamblesë së Përgjithshme domethënia më e madhe ishte marrja e besimit nga 175 vende nga 129 të nevojshme, por edhe mbështetja unanime për Shqipërinë e të gjitha vendeve të grupit të Europës Lindore”, u shpreh Rama.

Kjo e Shqipërisë, tha Rama, është një arritje domethënëse edhe për Ballkanin Perëndimor, i cili është ulur në tryezën më përfaqësuese të vendimmarrjes në botë vetëm një herë në historinë e asaj tryeze.

“Pas kryesimit të OSBE-së, ku për hir të së vërtetës u vlerësuam pozitivisht dhe lamë një përshtypje shumë të mirë që e dëgjon edhe sot e kësaj dite për presidencën shqiptare them se ulja jonë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, rikonfirmon një standard të ri besueshmërie, maturie dhe respekti ndërkombëtar për Shqipërinë”, tha Kryeministri.

Rama falenderoi vendet që mbështetën vendin tonë në këtë stacion ku asgjë nuk ishte e sigurtë dhe për ku punuan, besuan dhe arritën ta paraqesin bukur kandidaturën e Shqipërisë para botës së mbledhur nën ombrellën e madhe të OKB-së, diplomatë e politikëbërës tanët, që po ashtu i falenderoi me respekt.

“Ky është një mësim inkurajues, për të guxuar më shumë për të besuar më shumë, për të punuar më shumë që Shqipëria të bëhet më shpejt ajo, që me siguri do të bëhet një ditë, me ose pa ne. Dhe pikërisht afrimi i asaj dite në kohën tonë është sfida e angazhimi ynë. Dhe unë së bashku me shumicën e zgjedhur qeverisëse do ta jetojmë këtë sfidë si arsyen kryesore për t’u zgjuar më herët e fjetur më vonë, për t’u angazhuar më shumë e ecur më shpejt për të guxuar e punuar me të gjitha fuqitë tona që kjo dekadë që sapo kemi hyrë të bëhet dekada e ngjitjes në një majë ku dielli të shkëlqejë për të gjithë shqiptarët jo vetëm për një pjesë”, deklaroi Kryeministri.

Në 11 Qershor Shqipëria u zgjodh për herë të parë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB për një mandat 2-vjeçar. Mandati fillon më 1 janar 2022.