Mjeku infeksionist Genti Stroni thekson se situata e pandemisë në vendin tonë vijon të jetë e qetë dhe gjithashtu thekson se për shkak dhe të procesit të vaksinimit masiv është arritur imuniteti i tufës.

“Duke parë të gjithë të dhënat e pandemisë pretendohet që të kemi arritur imunitetin e tufës ose të masës. Kjo do të thotë që kemi një lajm pozitiv dhe rrjedhimisht rastet që do të preken do të jenë raste të cilët ose nuk janë imunizuar, pra nuk kanë bërë vaksinën, ose nuk e kanë kaluar. Pra këto raste deri diku janë zvogëluar, ose këto numra janë zvogëluar dhe mundësia e vaksinimit, që është në proces, bën të mundur që këto persona të krijojnë këtë lloj imuniteti, kjo është gjë e mirë”, tha mjeku Stroni.

Mjeku gjatë një interviste shpjegoi edhe simptomat e variantit “Delta”, ku theksoi se ky variant i ri nis si virozë e zakonshme stinore.

“Fillon si një virozë e zakonshme stinore, ku kemi dhimbje koke, një rrufë, dhimbje sysh, sy të skuqur, vazhdon më poshtë me një tharje të mukozave të fytit e cila provokon kollën dhe më mbrapa mund të japë edhe situata të tjera. Pra duhet që mjeku të jetë i kujdesshëm që këto shenja mos t’i neglizhojë”, u shpreh ai.

Gjithashtu mjeku bëri të ditur se numri i ulët i qytetarëve aktivë me Covid po e kalojnë me simptoma më të lehta, por tha se ka dhe nga ata që, pavarësisht se i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës, janë infektuar me COVID-19.

Ai theksoi se qytetarët e vaksinuar që infektohen e kalojnë në situatë më të mirë, pra pa u detyruar të shkojnë në spital dhe aq më tepër duke mos rrezikuar humbjen e jetës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri me dije pak ditë më parë se ka sinjale të pazakonta nga analizat e kryera në ISHP, për prezencën e variantit “Delta” në Shqipëri.