Në Qafë Shmil të njësisë administrative Labinot Mal, Elbasan, u zhvillua “Festa e Gështenjës”, e cila po kthehet në traditë.
Rreth 300 tonë gështenja, që kjo zonë prodhon çdo vit janë të destinuara për eksport në tregjet evropiane.
Drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit, Damian Gjiknuri publikoi pamje nga kjo festë, ku fermerët e zonës ekspozuan prodhimet e tyre.
Investimet në infrastrukturë, konkretisht rruga që do të lidhë këtë njësi administrative me Elbasanin, do t’i japin një hov të ri zhvillimit të agroturizmit në këtë zonë.
Eksportet e gështenjave “Made in Albania” arrijnë çdo vit në mbi 6 mijë tonë, me një vlerë deri në 8 milionë euro. Ndërkohë që kërkesa në rritje e tregut të huaj për këtë produkt, e ka kthyer gështenjën në një ekonomi shtesë për të ardhurat e familjeve që merren me këtë aktivitet.







































