Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar një paketë të re investimesh në infrastrukturë, arsim dhe shërbime publike, si dhe Planin Vendor për Rininë 2026–2030, duke i hapur rrugë projekteve të rëndësishme që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe zhvillimin e qytetit dhe njësive administrative.
Një nga investimet kryesore të parashikuara është ndërhyrja në kryqëzimin e Cërrikut, e cila synon të zgjidhë një problematikë të kahershme të trafikut, të lehtësojë qarkullimin e automjeteve dhe të rrisë sigurinë rrugore.
Paketa e investimeve në infrastrukturë përfshin gjithashtu sistemimin e aksit rrugor nga rrethrrotullimi i Bradasheshit deri te Rrethrrotullimi i Luleve, rikonstruksionin e rrugës së Teqes, përmirësimin e lidhjes me lagjen “5 Maji” dhe pjesën e sipërme të qytetit, si dhe sistemimin e rrugëve të brendshme të varrezave të reja. Në këtë kuadër parashikohet edhe rehabilitimi i rrugëve dhe shesheve në lagje.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe investimeve në arsim dhe shërbime publike. Ndër projektet e miratuara janë ndërtimi i kopshtit të ri në lagjen “Skënderbej”, vijimi i punimeve për çerdhen nr. 6 pranë Balashit dhe ndërtimi i tregut të fruta-perimeve në Tregan, investime që synojnë zgjerimin dhe përmirësimin e shërbimeve për komunitetin.
Një tjetër vendim i rëndësishëm është miratimi i Planit Vendor për Rininë 2026–2030, me një kosto të parashikuar prej rreth 22.6 milionë lekësh. Plani synon të krijojë më shumë mundësi për të rinjtë në fushat e punësimit, sipërmarrjes, arsimit, kulturës dhe sportit, si dhe të nxisë përfshirjen e tyre aktive në proceset vendimmarrëse.
Përmes kësaj pakete, Bashkia Elbasan synon të vijojë investimet në funksion të nevojave të qytetarëve, përmirësimit të infrastrukturës dhe shërbimeve publike, duke krijuar njëkohësisht më shumë mundësi për zhvillimin e qëndrueshëm të Elbasanit dhe njësive administrative.