/ATSH-I.Vata/ Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit përkujtoi sot viktimat e terrorit komunist në Tiranë gjatë periudhës 28 tetor – 16 nëntor 1944.

Në fjalën e tij, drejtori i ISKK-së, Çelo Hoxha tha sot përkujtohen të vrarët nga ekzekutimet politike në nëntor të vitit 1944.

“Sivjet kemi menduar organizimin e një miniekspozite me materiale nga Arkivi i Shtetit me dëshmi të vetë komunistëve që morën pjesë në spastrimin e Tiranës. Kur të lexoni materialin do të shikoni se është shprehur qartë se ushtria partizane hyri në Tiranë me qëllimin e qartë për të pastruar kryeqytetin nga elementët e konsideruar antikomunistë dhe hakmarrja nuk kurseu as jetën e pjesës më të mirë të intelektualëve”, u shpreh Hoxha.

Hoxha theksoi se në tekste shkollore mësohet një variant i deformuar i historisë.

“Këto miniekspozita shërbejnë si një mundësi për të folur për të shkuarën për mos e harruar atë dhe për t’ua përcjellë brezave. Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit është në proces për ta futur historinë e komunizmit në kurrikulat shkollore, për t’i mësuar brezat e rinj, sepse deri më tani 30 vite nga rënia e diktaturës tekstet shkollore japin një variant të deformuar të historisë sidomos me krimet e komunizmit”, tha ai.

Me emërtimin përgjithësues Masakra e Tiranës njihen të gjitha vrasjet e bëra nga 28 tetori gjer më 16 nëntor të vitit 1944, për zhdukjen e atij që mendohej elementi kundërshtar. Veprimi më shenjues i kësaj masakre qe vrasja pa gjyq e disa intelektualëve në bodrumin e hotelit Bristol natën e 12 nëntorit 1944. /j.p/