/ATSH/ Kryetari i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë(ZRrE), Ymer Fejzullahu ka folur rreth kërkesës së KESCO-s që vendimi për hyrjen në fuqi të tarifave të reja të mos zbatohet nga data 9 shkurt 2022, por të nisë së zbatuari nga data 1 mars.
Kryetari Fejzullahu pas mbledhjes së bordit konfirmoi se tarifat e reja për energjinë elektrike llogariten nga data 9 shkurt, ashtu siç ishte marrë vendim më herët.
Ai theksoi se vendimi ka hyrë në fuqi që nga data 9 shkurt dhe është përgjegjësi e KESCO-s që ta implementojë këtë vendim.
“E kemi thënë edhe në takimin që kemi pasur me ta(KESCO), që vendimi hynë në fuqi prej datës 9 shkurt. Është obligim i KESCO-s që ta implementojë atë vendim sipas vendimit të Bordit të ZRrE-së”, theksoi Fejzullahu.
Derisa tha se gjatë kësaj jave pritet të publikohet vendimi i plotë për tarifat e reja.
“Sipas legjislacionit në fuqi ky vendim duhet të publikohet brenda 30 dite. Jemi zotuar që ky vendim të publikohet gjatë kësaj jave”, tha ai.
Fejzullahu ka pranuar se nëse nuk do të kishte subvencion prej 100 milionë euro nga Qeveria, shtrenjtim të rrymës do të kishte edhe për konsumatorët që shpenzojnë deri 800 kilovatë dhe për bizneset.
“Meqenëse Qeveria ka ndarë një subvencion prej 100 milionë euro, ai ka ndikuar që të gjithë konsumatorët që konsumojnë deri në 800 kilovatë orë nuk do të kenë rritje apo do të faturohen me tarifat ekzistuese. Faturat e tyre do të kalkulohen duke përfshirë edhe zbritjen që ka rezultuar nga fondi apo subvencionimi i Qeverisë. Pra, tarifat që janë kanë marrë parasysh edhe subvencionimin prej 100 milionë eurove. Ne e kemi thënë edhe në raport konsultativ, sipas kalkulimeve pa subvencionimin e Qeverisë do të kishte rritje të tarifave edhe për bllokun deri në 600 por edhe për bllokun deri në 800. Do të kishte rritje për të gjitha bizneset ose ata komercial. Në bazë të vlerësimit të raportit konsultativ, ne i kemi prezantuar numrat se si do të ishte pa subvencionimin e Qeverisë dhe si do të ishte me subvencionim”, theksoi Fejzullahu.
Për sa i përket numrit të ankesave nga konsumatorët, Fejzullahu pret që pas faturimit të energjisë elektrike me tarifa të reja ky numër të rritet.
“Presim domosdo ndoshta do ketë një rritje të numrit të ankesave, por deri më tani s’kemi pasur ankesa meqenëse s’ka filluar ende publikimi i tarifave të reja. Por, domosmdoshmërisht ne gati çdo mbledhje kemi ankesa të konsumatorëve, të cilat i trajtojmë”, tha ai.
Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 cent (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës, kurse 6.75 cent (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.
Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 cent ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 cent.
Në mbledhjen e sotme, ZRrE-ja ka marrë vendim për zbritjen e tarifave të energjisë për ngrohtoren e qytetit të Gjakovës përreth 7 për qind.
“Sipas vendimit që është marrë sot në mbledhjen e ZRrE-së, tarifat e Ngrohtores së qytetit të Gjakovës do të zbriten për 7 përqind. Këto tarifa do të publikohen dhe do të jenë më të ulëta për 7 përqind se tarifat ekzistuese që kanë qenë deri më tani. Ky vendim do të jetë për këtë sezon, aplikacioni ka pasur disa mangësi, por me qëllim që mos të kemi një barrë shtesë për konsumatorin”, theksoi ai.
Ndryshe, Partia Socialdemokrate(PSD) kishte protestuar të hënën brenda zyrave të ZRrE-së për shkak të vendosjes së tarifave të reja dhe mos publikimit të vendimit për to, ku pati edhe të arrestuar. Ndërsa, një protestë tjetër është paralajmëruar më 22 shkurt nga shoqëria civile “Asnjë cent më shumë” për të kundërshtuar tarifat e reja. /KosovaPress/



























