TIRANË, 30 prill/ATSH/ Nga e hëna asnjë orar, asnjë radhë, asnjë hap drejt një zyre shteti, po një klik tek e-Albania dhe shteti vjen tek ti me dokumentin e kërkuar.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se nga 1 maji vërtetimet e ndihmës ekonomike dhe pagesës së Aftësisë së Kufizuar do të ofrohen me vulë elektronike online.
Që me nisjen e revolucionit digjital platforma qeveritare e-Albania nga 14 shërbime që ofronte dikur online, sot mundëson 1225 shërbime publike ose 95 % të tyre. Në total janë 2,5 milionë qytetarë dhe biznese të regjistruara, që marrin shërbime të përditshme, ku mesatarisht brenda një dite pune u shërbehet rreth 2,000 qytetarëve dhe ofrohen rreth 50,000 shërbime.
Suksesin e këtij transformimi e kanë konfirmuar institucione dhe raporte ndërkombëtare si BERZH, Sigma, DASH, OKB dhe BE që rendisin Shqipërinë të parën në rajon për digjitalizimin dhe qeverisjen digjitale. /k.s/j.p/



























