TIRANË, 1 shtator/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe deputetja e PS-së, Anila Denaj ndodhen në Suedi ku po ndjekin nga afër fushatën e zgjedhjeve parlamentare dhe vendore të 11 shtatorit.

Gjiknuri u shpreh se Partia Socialdemokrate me në krye Magdalena Andersson synon në këto zgjedhje fitoren për të tretën herë.

“Kënaqësi të japim ndihmën tonë modeste duke mbështetur deputetët me origjinë shqiptare Adnan Dibrani, Arbër Gashi dhe Aida Birinxhiku”, tha Gjiknuri.

Ai informoi se në kuadër të qëndrimit në Suedi u takuan me Sekretarin e Përgjithshëm të SDP-së, Tobias Baudin, ministrin për Përkrahjen Sociale, Ardalan Shekarabi, Sekretarin për Marrëdhëniet me Jashtë, Johan Hassel, atë të Thesarit, Joakim Johnson, deputetët e SDP-së, Olle Thorell, Åsa Eriksson, Lena Johansson.

Gjiknuri falënderoi veçanërisht qendrën “Olaf Palme” që mbështet Partinë Socialiste të Shqipërisë me projekte nëpërmjet Fondacionit “Qemal Stafa”.

“Suedia është mishërimi i social-demokracisë dhe Shqipëria dhe socialistët shqiptarë mund të mësojnë shumë nga reformat që ata kanë bërë duke vendosur interesin publik dhe mirëqënien e përgjithshme në themel të politikës së tyre. Një falënderim të veçantë për mbështetjen që jep Suedia për vendin tonë. Një urim për fitoren e SDP-së që kryeson në sondazhe në një garë të fortë përballë konservatorëve dhe disa partive populiste”, u shpreh Gjiknuri.