ATSH/- Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me Nënsekretaren e Shtetit për Çështjet Politike të SHBA, Victoria Nuland, në New York.

Gjatë këtij takimi i diskutua për një sërë çështjesh që nga agresioni kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë dhe plani i përbashkët i fuqizimit të mbrojtjes kibernetike deri te roli i vendit tonë në rajon.

Kreu i Ekzekutivit bën të ditur në një postim në rrjetet sociale se me Nuland diskutuan edhe për portin e ri tregtar të Durrësit dhe bazën e re ushtarake detare.

Kriza energjitike dhe solidariteti mes vendeve të aleancës pro Ukrainës për përballimin e saj, ishin gjithashtu në fokus të bashkëbisedimit të kryeministrit Rama dhe Nënsekretares së Shtetit për Çështjet Politike të SHBA.

Gjithashtu është folur edhe për nismën “Ballkani i Hapur” si platformë paqeje dhe nevojën për përparim thelbësor në dialogun Kosovë-Serbi.

“New York – Me Nënsekretaren e Shtetit për Çështjet Politike të SHBA, Victoria Nuland, për agresionin iranian dhe planin e përbashkët të fuqizimit të mbrojtjes kibernetike; portin e ri tregtar të Durrësit dhe bazën e re ushtarake detare; krizën energjitike dhe solidaritetin mes vendeve të aleancës pro Ukrainës për përballimin e saj; rolin e Shqipërisë në rajon, Ballkanin e Hapur si platformë paqeje dhe nevojën për përparim thelbësor në dialogun Kosovë-Serbi”, shprehet Kryeministri Rama në rrjetet sociale.