Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me projektin SEI, mbajtën tryezën e Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian për Kapitullin 23, kriterin politik dhe Kapitullin 24.

Ky takim u organizua në vijim të përmbylljes së takimeve dypalëshe për grupkapitujt themelorë dhe kishte për qëllim informimin e përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe akademikëve mbi metodologjinë e ndjekur, përfaqësimin në takimet dypalëshe dhe angazhimet e marra nga institucionet shqiptare në kuadër të procesit të negociatave.

Zv/ministrja e Drejtësisë, njëkohësisht dhe negociatore për Kapitullin 23 dhe kriterin politik, Adea Pirdeni dhe zv/ministri i Brendshëm dhe negociator për Kapitullin 24, Besfort Lamallari paraqitën një ekspoze të procesit të ndjekur nga të dy institucionet për koordinimin e përgatitjeve për takimet dhe sfidat e evidentuara gjatë këtij procesi.

Takimi u përshëndet nga kreu i seksionit politik të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Alexis Hupin, i cili theksoi se kjo tryezë organizohet në momentin e duhur dhe i shërben më së miri nxitjes së angazhimit proaktiv të aktorëve joqeveritarë në procesin e negociatave.