Shqipëria dhe Mali i Zi nënshkruan sot 11 marrëveshje, memorandume dhe program bashkëpunimi gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Podgoricë.
Mbledhja u mbajt në ndërtesën e Akademisë Malazeze të Shkencave dhe Arteve (CANU) të Malit të Zi.
Pas nënshkrimit të marrëveshjeve dhe konferencës së përbashkët për gazetarët me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, Rama publikoi në rrjetet sociale një video, ku shfaqet një grup fëmijësh që ishin mbledhur për ta përshëndetur.
“Faleminderit me zemër!”, shprehet Rama krahas videos, shoqëruar me flamujt e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian.
Gjatë konferencës, Rama tha se Shqipëria dhe Mali i Zi janë më shumë sesa fqinj dhe mund të bëjnë shumë më tepër sesa ç’kanë bërë deri më sot.
“Ne takohemi në një moment shumë sfidues për mbarë Europën dhe për vendet tona dhe në këtë kontekst, përveç sfidave të drejtpërdrejta, vlera e kësaj ngrohtësie dhe kësaj vëllazërie në fqinjësi bëhet edhe më e madhe”, nënvizoi Kreu i Ekzekutivit.
Rama tha se BE-ja është një korsi e përbashkët, shpejtësia e të cilës, në këndvështrimin e tij, lidhet pandashmërisht me korsinë e bashkëpunimit rajonal dhe në këtë pikë, Shqipëria dhe Mali i zi janë plotësisht të angazhuara.



























