Partia Demokratike e përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj ka depozituar sot një ankesë në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve pranë KQZ-së, pas rrëzimit të kërkesës së tyre për regjistrimin si subjekt politik në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Ata kërkojnë shfuqizimin e vendimit nr. 158 datë 9 mars 2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për shqyrtimin e kërkesë së Partisë Demokratike për regjistrim si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisë vendore të datës 14 maj 2023.
Po ashtu, PD e përfaqësuar nga Alibeaj kërkon detyrimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve të regjistrojë si subjekt zgjedhor Partinë Demokratike të Shqipërisë sipas kërkesës nr. 27, datë 5 mars 2023 dhe dokumentacionit shoqërues të saj të paraqitur në emër të PD-së nga përfaqësuesi Indrit Sefa; ose urdhërimin e regjistrimit si subjekt zgjedhor të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Në ankesën drejtuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve thuhet se Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve kishte detyrimin ligjor për regjistrimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë si subjekt zgjedhor.
“Pretendimet e tij të shprehura në vendimin nr.158/ 2023 jo vetëm janë të pamundura të përmbushen, por nuk kanë asnjë mbështetje ligjore dhe për pasojë janë një justifikim i paligjshëm për të penguar regjistrimin si subjekt zgjedhor të Partisë Demokratike, partisë më të madhe opozitare në vend”, thuhet në ankesën drejtuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve.
Sipas tyre, shkresa për angazhimin solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, nuk është përgjegjësi personale, por që merret në cilësinë e kryetarit të partisë që në rastin konkret, Lulzim Basha ia ka kaluar kompetencat përfaqësuesit ligjor.
“Ndryshe nga sa shprehet Komisioneri, nga përmbajtja e nenit 64, pika 2, shkronja “e” të Kodit Zgjedhor, nuk është shprehur asnjë ndalim mbi delegimin e këtij akti, dhe se nuk rezulton që akti të jetë një akt individual i personit dhe akt ekskluziv, për shkak të përgjegjësisë ligjore në rast mospërmbushje. Si për çdo të drejtë apo detyrimi tjetër (për ilustrim, regjistrimi i kandidatëve), dispozitat ligjore i referohen përmbushjes së tyre nga Kryetari i Partisë, duke qenë se ai është përfaqësuesi i partisë politike në raport me të tretët. Ky pretendim i Komisionerit është i pambështetur në ligj dhe rrëzohet edhe nga përmbajtja e vetë deklaratës, sipas përmbajtjes së miratuar nga vetë KQZ-ja”, thuhet më tej në kërkesën drejtuar Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve pranë KQZ-së.



























