Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, theksoi sot nga Lezha se zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhje për qytetin, nuk janë zgjedhje kombëtare për t’i parë politikisht gjërat.
“Është e pakonceptueshme që me dorën e tyre, njerëz që mund të mos jenë dakord me ne e qeverinë tonë, të shkojnë edhe ta çojnë votën që qyteti e bashkia e tyre të izolohet, siç është izoluar i pari i tyre që vjen vërdallë me një vulë në lule të ballit si person nongrata dhe iu premton shqiptarëve çudira që nuk i bëri kur nuk kishte as damkën. Bashkë me atë tjetrin, dy hije të së shkuarës që janë turp për Shqipërinë që i ka nëpër këmbë, dhe duan të kapin ç’të kapin, një bashki këtu e një atje, një copë Shqipërie këtu e një atje, për komplet hallin e tyre. Për t’i treguar botës se duhet të kaloni nga ne, se jemi ne këtu”, tha Rama.
Sipas tij, këtë nuk mund ta bëjnë me pjesën dërrmuese të bashkive, por janë disa bashki ku njerëzit duhet të ftillohen.
“Këto janë zgjedhje për të treguar shumë qartë nëse do të shkojmë përpara apo do të kthehemi mbrapa. Mendoj që Lezha nuk do e bëjë atë gabim, sepse do të jetë një gabim shumë i madh t’i mbyllësh vetes rrugën dhe të kthehesh në mish për topat e luftës me mullinjtë e erës, të dy të marrëve fund apo të mbyturve që të mbysin”, tha Rama.



























