Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe kandidati për kryetar bashkie i PS-së, Gledian Llatja përshëndetën sot mbështetësit që mbushën sheshin përpara stadiumit “Elbasan Arena”, pas publikimit të rezultatit paraprak të zgjedhjeve në këtë bashki.

Ndërkohë që kanë mbetur mbi 70 qendra votimi pa numëruar, Gjiknuri u shpreh se “jemi mbi 4 mijë vota para”.

“Ky rezultat do të thellohet në mbi 5 mijë vota, duke realizuar një nga fitoret historike në Elbasan. Falënderoj punën e secilit. Ne kishim kandidatin dhe ekipin më të mirë në Elbasan kemi bërë fushatën më të qetë dhe të bukur që është parë ndonjëherë në Elbasan. Kjo është vlera më e madhe e fitores”, tha Gjiknuri.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Gledian Llatja falënderoi qytetarët elbasanas për besimin që i dhanë, si dhe gjithë ekipin e deputetëve të PS-së për mbështetjen.

Gjithashtu, Llatja shprehu edhe një herë bindjen se në këtë katërvjeçar Elbasani do të ecë përpara me zhvillimin dhe projektet e mëdha.

“Kemi qenë katër vjet bashkë, dhe kemi punuar për të gjithë këto katër vite, dhe ky është rezultati. Që ditën e parë që jemi futur në garë kemi qenë të sigurt për fitoren, asnjëherë nuk e kemi vënë në dyshim, se kishim mbështetjen e popullit. E kisha të sigurt 4 vite punë populli i Elbasanit nuk i hedh poshtë dhe e vlerëson maksimalisht. Kjo është fitorja e gjithësecilit nga ju që ka vendosur një tullë në të ardhmen e Elbasanit”, tha ai.

Llatja theksoi se “para katër vitesh vumë themelet e zhvillimit, e perspektivës së Elbasanit me shumë projekte të mëdha.

“Sot gjithsecili nga ju ka një tullë tek zhvillimi që po merr Elbasani dhe tek katërçjecari i ardhshëm, për të vazhduar përpara me projektet tona. Kjo është fitorja e Elbasanit, sot Elbasani tregoi që nuk ecën mbrapa. Bindshëm Elbasani tregoi që nuk ecën mbrapa. Elbasani do të vazhdojë përpara rrugën e progresit, në rrugën e zhvillimit, në rrugën e demokracisë dhe në rrugën e qytetarisë. Do të vazhdojmë rrugëtimin tonë për zhvillimin dhe progresin, të gjithë bashkë në këto katër vite”, tha ai.