Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar e tronditur për ngjarjen e rëndë në Gramsh, ku një adoleshent ka humbur jetën si pasojë e një konflikti me bashkëmoshatarët e tij.
“Jam thellësisht e tronditur nga ngjarja e ndodhur sot në Gramsh, ku një adoleshent ka humbur jetën si pasojë e një konflikti me bashkëmoshatarët e tij.
Një nga prioritetet në sistemin tonë arsimor është forcimi i sigurisë në shkolla, për të cilën punojmë fort duke rritur nga viti në vit numrin e punonjësve të shërbimit psiko-social dhe oficerëve të sigurisë, si dhe duke i trajnuar ata dhe mësuesit në mënyrë të vazhdueshme. Megjithatë, ne duhet të reflektojmë të gjithë si shoqëri që të rrisim vigjilencën për të parandaluar, identifikuar dhe menaxhuar raste të konfliktit në shkollë, familje dhe kudo tjetër.
Shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjen e adoleshentit, duke shpresuar që të mos kemi kurrë më ngjarje të tilla”- tha Kushi.
Një 15-vjeçar i shkollës 9-vjeçare “Asllan Shahini”, në Gramsh, ka humbur jetën pasi u përfshi në një konflikt me 4 nxënës të klasës së 9-të rreth 200 metra larg ambientit të shkollës.
Në konflikt e sipër adoleshenti është plagosur me thikë, duke humbur jetën në spital nga plagët e marra.



























