Procesi i numërimit të votave për anëtarët e Këshillave Bashkiakë vazhdon në vend, ndërsa numërimi ka përfunduar në disa prej bashkive.

Të parat që dolën me rezultate janë bashkitë, ku votimi u krye në mënyrë elektronike.

Në Elbasan, me 31943 vota, Partia Socialiste mori 28 mandate, e ndjekur nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” që fitoi 12 mandate në Këshillin Bashkiak. Partia Demokratike mori 7 mandate, ndërsa nga një mandat kanë marrë Partia Demokracia Sociale, Partia Socialdemokrate, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Partia e Gjelbër.

Kamëz, Partia Socialiste grumbulloi 20130 vota, ndërsa “Bashkë Fitojmë” 11391 vota. Kështu, PS fitoi 19 mandate në Këshillin Bashkiak, BF 11 mandate. Partia Demokratike mori 3 mandate, Partia Socialdemokrate 2 mandate, Fryma e Re Demokratike 2 mandate, ndërsa nga një mandat kanë marrë Partia Agrare Ambientaliste, Partia Republikane, Partia Lëvizja e Legalitetit, Aleanca Liberale e Djathtë.

Në Vorë, Partia Socialiste mori 6578 vota, “Bashkë Fitojmë” mori 2178 vota. E majta fitoi 13 mandate, koalicioni Berisha-Meta katër mandate, Partia Agrare Ambientaliste 2 mandate, Partia Republikane dhe Fryma e Re Demokratike nga 1 mandat.

Shkodranët, përmes votës i kanë besuar jo vetëm Benet Beçit si drejtues i bashkisë për 4 vitet e ardhshme por edhe socialistëve për këshillin bashkiak. Partia Socialiste do të këtë shumicën e këshillit me 18 këshilltarë.

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” renditet i dyti me 13 këshilltarë ndërsa Partia Social Demokrate e Tom Doshit, pozicionohet e treta me 12 këshilltarë, me vetëm 269 vota më pak se sa demokratët e koalicionit Berisha – Meta. Ndërkohë Partia Demokratike zyrtare ka marrë 5670 vota duke siguruar 5 mandate. Nga një mandat kanë fituar edhe partitë Fryma e Re Demokratike, Aleanca Liberale e Djathtë dhe Partia Lëvizja e Legalitetit.

Në Fier, e majta ka fituar 33 mandate në Këshill, “Bashkë Fitojmë” ka marrë shtatë mandate, Partia Social Demokrate 5 mandate, Partia Demokratike katër mandate, ndërsa PDIU dhe ALD nga një mandat.

Në bashkinë e Lushnjës, Partia Socialiste fitoi 24 mandate, koalicioni Berisha-Meta 7 mandate, Partia Demokratike 4 mandate, Partia Socialdemokrate 2 mandate, ndërsa Partia Agrare Ambientaliste, Partia Republikane, Partia Lëvizja e Legalitetit dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet kanë tashmë nga një anëtar në Këshillin Bashkiak.

20 mandate fitoi Partia Socialiste në Berat, me 15081 qytetarë që kanë votuar të majtën në këtë bashki. Me 5930 vota, koalicioni “Bashkë Fitojmë” mori 7 mandate, Partia Demokratike 3 mandate dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 1 mandat.

Në Kuçovë, Partia Socialiste mori 18 mandate, koalicioni “Bashkë Fitojmë” 8 mandate, Partia Demokratike 3 mandate dhe nga një mandat fituan Partia Socialdemokra dhe Partia Aleanca Demokratike e Shqipërisë.

Në bashkinë e Dimalit, 11 mandate mori Partia Socialiste. Partia Demokratike grumbulloi më shumë vota se “Bashkë Fitojmë”. Si rrjedhojë, PD ka 4 mandate, ndërsa BF 3 mandate. Nga ana tjetër, nga një mandat kanë marrë Partia Agrare Ambientaliste, Partia Republikane dhe Partia Socialdemokrate.

Në Maliq, Partia Socialiste kryeson me 11158 vota të numëruara, ndërsa “Bashkë Fitojmë” 3482 vota. PS ka tashmë 20 anëtar të Këshillin Bashkiak, 6 mandate “Bashkë Fitojmë”, nga dy mandate Partia Demokratike dhe Partia Socialdemokrate, dhe një mandat Partia e Gjelbër.

11 mandat në Këshillin Bashkiak të Cërrikut mori Partia Socialiste, 3 mandate “Bashkë Fitojmë”, 2 mandate Partia Demokratike dhe nga një mandat Partia Agrare Ambientaliste, Partia Lëvizja e Legalitetit, Partia Socialdemokrate, Aleanca Progresiste LZHK dhe Partia e Gjelbër.

Në Këshillin Bashkiak të Peqinit, Partia Socialiste ka fituar nëntë mandate, “Bashkë Fitojmë” katër mandate dhe Partia Demokratike tre mandate. Ndërkohë, dy mandate ka Partia Republikane dhe nga një mandat Partia Agrare Ambientaliste, Aleanca Liberale e Djathtë dhe Partia Socialdemokrate.

Në bashkinë Rrogozhinë, Partia Socialiste mori 9 mandate me 35.71% të votave, ”Bashkë Fitojmë” mori 4 mandate me 17.29% të votave, kurse PD mori 3 mandate ose 13.83% të votave. Nga ana tjetër, PSD mori 2 mandate, PR 1 mandat, PLL 1 mandat dhe kandidati i pavarur Mitat Daja një mandat.

Në Mat, me 3906 vota të grumbulluara, Partia Socialiste fitoi nëntë mandate, Partia Socialdemokrate 3 mandate, “Bashkë Fitojmë” dhe Partia Demokratike nga 2 mandate. Hnjë anëtar në Këshill do të ketë Partia Agrare Ambientaliste, Partia Demokracia Sociale, Partia Arbnore Kombëtare dhe Aleanca Demokristiane.