Presidenti Bajram Begaj priti në takim shefin e Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-së, gjeneralin Daniel R. Hokanson, i cili shoqërohej edhe nga ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim.

Gjatë takimit, Presidenti vlerësoi bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilët prej dekadash kanë ndihmuar në modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Presidenti Begaj diskutoi së bashku me gjeneralin Hokanson edhe mbi bashkëpunimin e mëtejshëm në fushën e mbrojtjes, si dhe sigurisë kibernetike.

Së bashku me gjeneralin Hokanson, Presidenti Begaj foli edhe për zhvillimet në rajon, ku u ndal në veçanti te zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës.