ROMË, 9 qershor /ATSH-DPA/ – Një qytet i lashtë romak është zbuluar pa patur nevojë për gërmime, falë teknologjisë së radarëve që mund të revolucionarizojnë punën e arkeologëve.

Një ekip nga Universiteti i Kembrixhit dhe universiteti ”Ghent” përdorën radarin e përparuar të depërtimit të tokës (GPR) për të eksploruar mbetjet nëntokësore të Falerii Novit, rreth 50 kilometra në veri të Romës.

“Ata zbuluan një kompleks banjash, tregu, tempulli, një monument publik, ndryshe nga çdo gjë që është parë, madje edhe rrjetin e tubacioneve të ujit në qytet”, njoftoi Universiteti i Kembrixhit.

Falerii Novi, në krahinën e sotme të Viterbos, u pushtua për herë të parë në vitin 241 para Krishtit dhe mbijetoi në periudhën mesjetare. Sipas studiuesve ishte sa rreth gjysma e madhësisë së Pompeit.

Studimi i tyre u publikua në një revistë akademike dhe tregon se si mund të bëhet e mundur zbulimi i qyteteve të tjera antike, të cilat janë shumë të mëdha për t’u gërmuar ose ndodhen nën strukturat moderne.

ATSH