Fush Bulli, dikur një fshat i vështirë për t’u aksesuar, po shndërrohet në një destinacion turistik tërheqës falë investimeve në infrastrukturë. Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, bashkë me deputeten Desantila Tahoraj dhe kryetarin e Këshillit Bashkiak, Lutfi Lala, inspektuan punimet për shtrimin me asfalt të rrugës që lidh qendrën e njësisë administrative Shushicë me fshatin Fush Bulli, një zonë me potencial të jashtëzakonshëm turistik.
Dikur një vend i vështirë për t’u aksesuar, Fush Bulli po shndërrohet në një pol të zhvillimit turistik falë investimeve në infrastrukturë. Rruga e re, e gjatë 7 kilometra, tashmë përshkohet për vetëm 12 minuta, një ndryshim i madh krahasuar me vitin 2021, kur kjo distancë kërkonte rreth 50 minuta dhe mjete të larta për të kaluar terrenin e vështirë malor.
“Kjo zonë gjithmonë ka pasur një potencial të madh turistik, por mungesa e infrastrukturës e kishte lënë thuajse të izoluar. Sot, me këtë rrugë të re, jo vetëm banorët e zonës do të kenë një lidhje më të lehtë me qytetin, por edhe ekonomia lokale do të marrë një shtysë të madhe,” u shpreh kryetari i Bashkisë gjatë inspektimit.
Investimi ka sjellë një transformim të rëndësishëm, duke e bërë zonën më të aksesueshme jo vetëm për banorët, por edhe për vizitorët që kërkojnë natyrën e paprekur dhe turizmin malor. Fillimisht e parashikuar për t’u shtruar me zhavorr, rruga me asfalt është realizuar me standarde të qëndrueshme, duke i dhënë kështu një vlerë të shtuar zhvillimit të turizmit në këtë zonë malore të Elbasanit.