Në fillimshekullin e XX, Elbasani mirëpriti një vizitore të veçantë – *Edith Durham*, etnografe, publiciste dhe një nga zërat më të ndjeshëm në mbrojtje të çështjes shqiptare. Gjatë një udhëtimi që e çoi nëpër Shqipërinë e Veriut dhe të Mesme, ajo ndaloi për tetë ditë në Elbasan, duke e përjetuar nga afër shpirtin, traditat dhe kulturën e qytetit dhe zonave përreth.
Durham vizitoi fshatrat Bushek, Shushicë e Shelcan, takoi gra, burra, të rinj e të reja, mori pjesë në një dasmë dhe një ditë pazari. Vëzhgimet e saj i përshkroi me detaje në librin *“Brenga e Shqiponjës”*, ku kapitulli i shtatë i kushtohet Elbasanit – një pasqyrë e gjallë e qytetit në vitin 1905.
Për Durham-in, Elbasani ishte një vatër e patriotizmit, ku përpjekjet për ngritjen e shkollës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar ishin të dukshme. Ajo përmend me admirim njerëz të arsimuar që kontribuonin në përhapjen e dijes pa asnjë përfitim.
Ndër veprat që ruhen sot në Institutin Mbretëror të Antropologjisë në Londër, është edhe një skicë e realizuar prej saj në një dasmë në Elbasan – portreti i një nuseje, e cila më vonë do të njihej si nëna e studiuesit Aleks Buda.



























