ATSH/ Shqipëria po forcon çdo ditë mekanizmat për goditjen e pasurive me origjinë kriminale dhe kthimin e tyre në shërbim të publikut, si një instrument i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar.
Ky ishte mesazhi i përcjellë sot në konferencën ndërkombëtare “Nga konfiskimi tek e mira publike”, që zhvilloi punimet në Tiranë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve dhe ekspertëve nga disa vende partnere.
Drejtoresha e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, Risena Xhaja, në fjalën e saj theksoi se lufta kundër krimit të organizuar nuk përfundon me sekuestrimin apo konfiskimin e aseteve kriminale, por vijon me administrimin e tyre profesional dhe kthimin në dobi të qytetarëve”.
Ajo nënvizoi se autoritetet shqiptare kanë marrë një angazhim ndërkombëtar që të paktën 50% e pasurive të konfiskuara të përdoren në funksion të institucioneve ligjzbatuese dhe komunitetit, objektiv që sipas saj është tejkaluar gjatë vitit 2025.
“Për vitin 2025, agjencia e ka tejkaluar këtë objektiv dhe mbetet e angazhuar për të bërë të njëjtën gjë edhe në vijim. Gjatë viteve të fundit AAPSK ka përballuar një rritje të ndjeshme të numrit dhe kompleksitetit të pasurive nën administrim, duke menaxhuar qindra prona, automjete, biznese dhe asete të tjera me vlerë të konsiderueshme ekonomike”, tha Xhaja.
Në vijim, ajo evidentoi përmirësimin e administrimit ekonomik të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, duke bërë të ditur se të ardhurat e siguruara nga qiradhënia dhe përdorimi i këtyre aseteve janë rikthyer në funksion të forcimit të institucioneve ligjzbatuese dhe të drejtësisë.
Sipas saj, AAPSK ka kontribuar me fonde dhe pajisje për Policinë e Shtetit, SPAK, Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe institucione të tjera të sistemit të drejtësisë.
“Ne besojmë se këto pasuri duhet të transformohen në hapësira dhe shërbime në funksion të komunitetit, edukimit, kulturës dhe zhvillimit social, apo në mbështetje të kategorive vulnerabël”, u shpreh ajo.
Sipas Xhajës, tashmë ka shembuj konkretë ku prona të konfiskuara janë kthyer në hapësira komunitare dhe qendra sociale në shërbim të qytetarëve, ndërsa bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, organizatat e shoqërisë civile dhe pushtetin vendor do të vijojë të zgjerohet.
“Krimi i organizuar nuk njeh kufij dhe për këtë arsye edhe përgjigjja ndaj tij nuk mund të jetë vetëm kombëtare. Vetëm përmes bashkëpunimit mund të ndërtojmë mekanizma më eficientë, më transparentë dhe më të qëndrueshëm në luftën kundër ekonomisë kriminale”, përfundoi Xhaja.
Një fokus i veçantë gjatë konferencës iu kushtua ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara.
Kryeadministratorja e AAPSK theksoi se këto pasuri nuk duhet të mbeten pasive apo të degradojnë, por të transformohen në hapësira dhe shërbime në funksion të komunitetit, edukimit, kulturës dhe zhvillimit social. Ajo solli në vëmendje edhe raste konkrete të transformimit të pronave të konfiskuara në hapësira komunitare dhe projekte në shërbim të qytetarëve, në bashkëpunim me pushtetin vendor.
Xhaja falënderoi partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke vlerësuar gjithashtu projektet e organizatave vendase që kanë përfituar mbështetje nga AAPSK.
Konferenca vijoi me panele diskutimi mbi koordinimin ndërinstitucional në procesin e konfiskimit, administrimin e pasurive kriminale dhe modelet e ripërdorimit social të tyre, me pjesëmarrjen e ekspertëve dhe përfaqësuesve nga Shqipëria, Bashkimi Europian dhe vende të tjera partnere.
/e.xh/a.f/



























