Ditën e djeshme Partia Socialiste festoi 29-vjetorin e themelimit të saj.
Ndërsa sot Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka publikuar një analizë lidhur me sukseset dhe dështimet e kësaj partie.
Në fillim paraqitet ardhja e Fatos Nanos në krye të PS në vitin 1991 deri tek arrestimi i tij, rikthimi sërish në konkurencë të fortë me Pandeli Majkon.
Më pas, pasqyrohet periudha kur Edi Rama u zgjodh në krye të PS në një përballje me Rexhep Meidanin. Në totalin e 29 viteve Rama e ka drejtuar PS 52% të viteve të tranzicionit, duke lënë pas katër herë ish-kryeministrin Nano me 45%. Ndërsa për një vit PS pati drejtim nga Sekretari i Përgjithshëm Majko.
‘Pas tri dekadash PS ka ndryshuar shumë në program, në identitet politik, në logo dhe në ekip drejtues. Ajo statistikisht trashëgoi pjesën më të madhe të ish anëtarësisë së PPSH, por më 2000 dhe 2013 fitoi shumicën absolute të votës rinore. Ajo ka strukturën më të gjerë organizative në spektrin politik, si dhe ka pasur dhe ka nivel rekord të numrit të “biznesmenëve” deputetë, rreth dyfish më shumë se e djathta, në grupin parlamentar të dy legjislaturave të fundit. Në votimet e fundit lokale dy kryetarë bashkish rezultuan objekt i dekriminalizimit dhe të tjerë janë nën hetim. Aktualisht ajo ka në kryesi një individ që bën pjesë në listën e zezë të SHBA, si dhe një nga figurat e saj kryesore, ish ministër i brendshëm, ndodhet në proces gjykimi’, thuhet ndër të tjera në analizë.
Analiza e plotë:
Instituti i Studimeve Politike ka krijuar një database të të dhënave në zgjedhjet në partitë politike prej vitit 1991. Sipas të dhënave lidhur me PS, rezulton se në zgjedhjet e para për kryetar në PS (1991) Fatos Nano ishte produkt i konsensusit politik brenda grupeve në PS. Zgjedhja e tij u bë pa votim konkurrues. Gjatë periudhës 1992-1996 Fatos Nano vijoi të ishte kryetar pa rival në PS, edhe për shkak se ai ishte i arrestuar dhe vuante dënimin në burg, ndërkohë që partia e tij e konsideronte arrestimin dhe dënimin si të motivuar politikisht.
Më 1997 Nano doli nga burgu dhe fitoi zgjedhjet duke u bërë kryeministër. Mandati i tij në krye të PS ishte i vetëkuptuar. Më 1998 Nano dha dorëheqje nga kryeministër dhe më pas edhe nga posti i kryetarit të partisë. Drejtimin politik e mori sekretari i përgjithshëm, Pandeli Majko. Më 1999 Nano kërkoi rikthimin në krye të PS përballë Majkos. Konkurrenca midis tyre ishte e ashpër dhe në fund, me numër minimal votash, fitues ishte Nano. Mandati drejtues i z.Nano në krye të PS-së u konfirmua edhe pas zgjedhjeve 2001. Në kongresin zgjedhor të PS më 2003 përballë Nanos ishin ish Presidenti Rexhep Meidani dhe kryetari i bashkisë Tiranë Edi Rama. Nano fitoi lehtësisht mandatin drejtues.
Më 2005 PS humbi zgjedhjet dhe kryetari Nano dha dorëheqje. Për vendin vakant konkurruan Rexhep Meidani dhe Edi Rama, kur me shumicë votash kryetar i ri u zgjodh Edi Rama. Më 2009 PS humbi zgjedhjet parlamentare, por në garën e brendshme partiake Rama u konfirmua në krye të PS-së. Përballë tij ishte Maqo Lakrori, ndërkohë që rivali më serioz i tij, Arben Malaj u tërhoq nga gara disa ditë përpara votimit, duke akuzuar për pabarazi zgjedhore dhe presione politike.
Sipas të dhënave monitoruese të ISP, prej 2009 PS nuk ka votuar më për kryetarin e saj, dhe Rama vijon të jetë kryetar, edhe pse mandati i tij statusor përfundoi në shtator 2013. Më 2016 u bë një referendum në parti dhe ndryshime statusore, përmes të cilave u bë e mundur eliminimi i procesit të zgjedhjeve për kryetar në parti për sa kohë partia është në pushtet dhe kryetari është kryeministër. Praktikat e partive të majta, si në Itali, kanë treguar se konkurrenca në parti për kryetar ka sjellë ndryshim të qeverisë dhe të kryeministrit. Modeli i miratuar në PS, pamundëson zgjedhje (edhe formale) për kryetar dhe për pasojë, kryetari – kryeministër kontrollon njëherësh partinë dhe qeverinë, duke pamundësuar debate e procese konkurruese të brendshme. Ndryshimi kushtetues i vitit 2008 ka rritur ndjeshëm peshën e kryetarëve të partive dhe për rrjedhojë, kryetarët kamë veto në emërimin e ministrave, në emërimin e deputetëve, në përcaktimin e listës së kandidatëve, në përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar bashkie dhe zyrtarë të lartë. Bashkimi i kaq shumë pushteteve tek një person, sipas ekspertëve të ISP, ka pasur dhe vijon të ketë impakt negativ në cilësinë e demokracisë dhe konceptin e ndarjes dhe balancës së pushteteve, për pasojë, nuk ka mocione mosbesimi as në parti dhe as në parlament.
Kur PPSH ndryshoi emrin në PSSH më 1991, zoti Rama, aktualisht kryetar dhe kryeministër, nuk ishte anëtar i PS dhe ishte një kritik i ashpër i trashëgimisë së saj. Ai aderoi në këtë parti në vjeshtën e vitit 2003, kur konkurroi formalisht për kryetar në PS. Pas 29 vitesh ai është politikani më i pushtetshëm në historinë e PS, duke ushtruar mandatin e dytë si kryeministër përmes 100% të kontrollit në qeverisjen qendrore dhe lokale, si dhe duke qenë de facto në pushtet prej 2008 (me shkëputje 2011-2013) kur iu bashkua kabinetit qeveritar, për të vijuar tre herë kryetar bashkie në Tiranë dhe dy herë kandidat për kryetar në PS. Në totalin e 29 viteve Rama e ka drejtuar PS 52% të viteve të tranzicionit, duke lënë pas katër herë ish kryeministrin Nano me 45%. Për një vit PS pati drejtim nga Sekretari i Përgjithshëm Majko.
PS është partia më e madhe politike në vend me rreth 120 mijë anëtarë, e konfirmuar si dominuese në renditjen partiake në votë proporcionale prej vitit 1997. Selia e saj qendrore është ish selia e PPSH në Tiranë, si dhe vetë PS prej 2004 është anëtare në grupimin e Partive Socialiste/Socialdemokrate Evropiane. Rotacionet politik 1992, 2005 dhe 2013 janë konsideruar zgjedhjet më të pranueshme të tranzicionit. Në kryesinë e PS vetëm dy anëtarë janë pjesë e ish themeluesve të vitit 1991, Gramoz Ruçi dhe Pandeli Majko, ky i fundit gjithashtu i vetmi ministër me histori 29 vjeçare në këtë parti. Disa nga figurat më të larta drejtuese të PS më 1991-1992, janë jashtë jetës politike (Dokle, Lleshi, etj), janë ndarë nga jeta (Agolli, Hajdaraga, etj), krijuan parti të reja politike (psh, 2004, Meta) apo kaluan me të djathtën (psh, Islami 2013). PS ka zgjedhur vetëm dy presidentë nga radhët e saj (Alia 1991 dhe Mejdani 1997), si dhe dy të tjerë me votat e saj: Meta 2017 (PS + LSI) dhe Moisiu 2002 (konsensual PS + PD). PS në 29 vjet ka pasur gjashtë kryeministra: Nano, Ahmeti, Bufi, Majko, Meta dhe Rama. Në 29 vjet PS ka pasur numrin më të madh të ministrave dhe deputetëve në raport me partitë e tjera.
Historia e PS është e njëjtë me kurbën e historisë së tranzicionit: suksese, deshtime, reforma, skandale, qeverisje, korrupsion, zgjedhje dhe manipulime zgjedhore. PS ishte partia e parë politike që bojkotoi zgjedhje (1996), viktimë e dhunës shtetërore në procesin zgjedhor (1996), ndërkohë që më 1997 ndryshoi rolet, dhe më 2019 u bë partia e parë politike në Europë që organizoi zgjedhje kombëtare pa konkurrues, duke qënë de facto subjekt i vetëm në votimet për kryetar bashkie.
Pas tri dekadash PS ka ndryshuar shumë në program, në identitet politik, në logo dhe në ekip drejtues. Ajo statistikisht trashëgoi pjesën më të madhe të ish anëtarësisë së PPSH, por më 2000 dhe 2013 fitoi shumicën absolute të votës rinore. Ajo ka strukturën më të gjerë organizative në spektrin politik, si dhe ka pasur dhe ka nivel rekord të numrit të “biznesmenëve” deputetë, rreth dyfish më shumë se e djathta, në grupin parlamentar të dy legjislaturave të fundit. Në votimet e fundit lokale dy kryetarë bashkish rezultuan objekt i dekriminalizimit dhe të tjerë janë nën hetim. Aktualisht ajo ka në kryesi një individ që bën pjesë në listën e zezë të SHBA, si dhe një nga figurat e saj kryesore, ish ministër i brendshëm, ndodhet në proces gjykimi.