Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe Komisionerja e Bashkimit Europian për Punët e Brendshme, Ylva Johansson në një konferencë të përbashkët për media e nga Kakavija, Gjirokastër, u shprehën për forcimin e bashkëpunimit në luftë kundër krimit të trafikimit dhe emigracionit të paligjshëm.

Ministri Çuçi u shpreh se, “Shqipëria është i vetmi vend në Rajon që ka një program të përbashkët me Frontex në fushën e sigurisë së kufirit dhe ka një zyrë Europoli në Shqipëri si dhe një zyrë përfaqësie të Shqipërisë në Europol”.

“Sot erdhëm me komisioneren për të parë punën e ekipeve të përbashkëta të policisë sonë të kufirit dhe Frontexit, që patrullojnë të gjithë kufirin e gjelbër me Greqinë që është rreth 400 km i gjatë. Shqipëria ka bërë hapa përpara, në bashkëpunimi me BE-në, në fushën e sigurisë”- tha ai.

Ndërsa komisionerja Johansson duke vlerësuar arritjet e Shqipërisë në fushën e sigurisë kufitare tha se “dua të përgëzoj Shqipërinë për arritjet që ka shënuar vitin e fundit në fushën e drejtësisë, sigurisë dhe emigracionit. Po ashtu, jam e lumtur të them që komisioni njeh që Shqipëria ka përmbushur kushtet, në mënyrë që të nisë konferenca e parë ndërqeveritare”.

“Shqipëria është i vetmi vend që ka lidhur marrëveshjen me Frontex , por është edhe vendi që ka marrëveshje me të gjitha  agjencitë europiane në fushën e çështjeve të brendshme dhe të emigracionit dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm për bashkëpunim tonë të ngushtë”- tha ajo.

Ajo tha se gjatë kësaj vizite në Kakavijë, u njoh me punën e përbashkët të policisë shqiptare të kufirit dhe Frontexit që siç theksoi ajo “ka ndihmuar në forcimin e bashkëpunimit, të mësuarit nga njëri tjetri, jo vetëm në çështjet e emigracionit por edhe në përpjekjet për të ndaluar trafikimin e atyre që përpiqen të trafikojnë njerëz, drogë dhe armë apo që kryejnë veprime të tjera kriminale”.

“Pasi siç e dimë trafikimi dhe emigracioni janë çështje kufitare, ndaj ne duhet të punojmë së bashkë në raport me të”, theksoi komisionerja.

“Jam këtu për të thënë se shumë është bërë dhe është shënuar progres në këtë drejtim”- deklaroi Johansson.

Nga ana e tij, ministri Çuçi vuri në dukje se, në sajë të bashkëpunimit me Frontex, sot kemi më shumë kontroll në kufirin e gjelbër.

“Është rritur numri i klandestinëve dhe emigrantëve që vijnë nga Greqia në Shqipëri, dhe numri i tyre që kapen dhe riatdhesohen. Në 2020, regjistrohen 18 mijë të tillë. Por si ministër i brendshëm tha ai, ju siguroj se do të bëjmë gjithçka për të luftuar krimin e organizuar që lidhet me këtë fluks lëvizje të emigrantëve. Janë 112 procedime që lidhen me trafikun e drogës që gjenerohen nga kufiri dhe ky numër është gati dyfshimi i asaj që kemi pasur një vit më përpara”- tha Çuçi.

“Ne sapo nënshkruam një marrëveshje me forcat italiane të sigurisë dhe më vjen mirë të ndajë lajmin se, nëse në 2016, 50% e kanabisit që qarkullonte në Itali, kishte origjinë Shqipërinë, në 2020 vetëm 5% e kësaj sasie droge kishte origjinë Shqipërinë”- informoi ministri