Presidenti Bajram Begaj, në Ditën Ndërkombëtare të Mjekut, uron të gjithë mjekët e Shqipërisë, për punën e tyre të palodhur, në shërbim të qytetarëve.

Begaj shprehet në një status në rrjetet sociale se “pandemia COVID-19, na risolli në vëmendje madhështinë dhe përulësinë e misionit të mjekut. Për muaj me radhë, mjekët tanë iu dedikuan pacientëve të sëmurë, duke i qëndruar besnikë “Betimit të Hipokratit” e duke mos pyetur për rrezikun që i kanosej atyre vetë apo familjarëve”.

Kreu i Shtetit thekson se “sot, tek sa për fat ditët e vështira të pandemisë duken kujtim i së shkuarës, nuk duhet t’i mbetet së shkuarës shembulli i vetëmohimit të tyre, përkundrazi, duhet të jetë një arsye më shumë, për të respektuar bluzat e bardha për profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre”.

“Respekt dhe mirënjohje ndaj mjekëve tanë, ndaj të gjithë kolegëve dhe miqve të mi të nderuar”, përfundon mesazhin e tij, Presidenti Begaj.

Dita Kombëtare e Mjekëve u krijua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për të vlerësuar punën e dhe kontributin e mjekëve në shoqëri dhe në komunitet.

Jeta e përditshme e këtyre mjekëve është një shqetësim i pafund vetëmohues për ruajtjen e shëndetit dhe jetës së pacientit.atsh