Biblioteka publike “Qemal Baholli” është institucioni bibliotekar kryesor i komunitetit dhe një qendër e rëndësishme studimore e kërkimit shkencor.

Biblioteka publike “Qemal Baholli” është një vepër bamirësie e Nazif Bahollit ish pronar i njohur i qytetit të Elbasanit në vitin 1930.

Një nga djemtë e tij Qemali ish nxënës në liceun e Korçës, humbi jetën në moshë të re. Në përkujtim të të birit, Nazifi si patriot me ide përparimtare, pati idenë të ngrinte në Elbasan një vepër kulturore, bibliotekë publike, duke e pagëzuar me emrin e të birit Qemal Baholli.

Asokohe Nazifi bleu nga bashkia një truall ku më pas do të ngrihej godina, me një shumë prej 800 napolona ari. Lejen nga Ministria e Arsimit e dha vetë ministri i asokohe Mirash Ivanaj, duke e çmuar e falenderuar xhestin fisnik të dy djemve të tjerë të Nazifit të cilët pas vdekjes së të atit vijuan veprën e lënë përgjysëm. Mbas një periudhe rreth 2 vjeçare ndërtesa me një mjedis të jashtëm të gjelbëruar ishte gati.

Festa e përurimit u organizua në vitin 1953 dhe Biblioteka “Qemal Baholli” ju dorëzua bashkisë duke u bërë një institucion publik në shërbim të zhvillimit kulturor të Elbasanit. Aktualisht kjo bibliotekë së bashku me muzetë e qytetit është një trashëgimi kulturore e qytetit të Elbasanit. Vëllezërit Baholli vunë në dispozicion edhe 2000 franga ari për blerje librash. Libra dhuruan edhe intelektualë të ndryshëm të qytetit, ambasada të huaja në vendin tonë, dhe veçanërisht Oborri Mbretëror. Në fondet e saj fillimisht u futën 1000 vëllime.

Krahas pasurimit me libra, biblioteka rriste çdo ditë shërbimin ndaj lexuesve të qytetit dhe numurin e aktiviteteve të saj. Me ambjente e kushte të përshtatshme, lexuesit kërkuan më shumë kohëzgjatje në bibliotekë për lexim. Më pas në këtë bibliotekë u vendosën edhe objekte muzeale në një sallë të vecantë të fondit dhe mbas vitit 1936, si institucion u emërua “Biblioteka dhe Muzeu Qemal Baholli”

Drejtori i parë ishte intelektuali Ibrahim Laçi, i cili krijoi edhe një këshill apo siç quhej në atë kohë komisioni i bibliotekës, me kryesinë e përbërë nga Lef Nosi, Beqir Rusi, Tasim Mufiu etj. Këshilli siguronte të ardhura me ndihma e donatorë të ndryshëm intelektualë të spikatur shqiptarë, brenda e jashtë vendit.

Mbas vitit 1945 fondi i saj u pasurua me bibliotekën albanologjike e ballkanollogjike, pronë e Lef Nosit ( intelekual, atdhetar, politikan e studjues).

Biblioteka shquhet jo vetëm për veprat e rralla por edhe për koleksionet e fondit të periodikut të periudhës para luftës II Botërore, ajo numëron rreth 200 000 libra e koleksione periodiku, në gjuhën shqipe e të huaj.

Aktivitetet e saj janë bazuar në Ligjin e Bibliotekave të Shqipërisë, aprovuar nga Parlamenti në vitin 2000. Biblioteka ka statusin e një institucioni kulturor të rëndësishëm që varet nga pushteti lokal. Detyra e saj është të koleksionojë dhe të ruajë trashëgimninë kulturore të shkruajtur të popullit shqiptar.

Për ruajtjen e gazetave të vjetra që janë një thesar i vjetër është krijuar një sallë speciale për studjuesit, gjithashtu në ambjentet e bibliotekës ka edhe një sallë leximi shkencor për literaturën albano – balkanologjike dhe kjo për ruajtjen e vlerave të rralla.

Biblioteka ka shumë dhurata por edhe ka blerë shumë libra, me autorë elbasanas, si dhe kanë dhuruar libra të shkruara në Frengjisht dhuruar nga Ambasada Franceze, nga Ambasada Amerikane.

Në fillim  të shkullit  XXI Biblioteka mban ende emrin “ Qemal Baholli”.

Rradhitet ndër bibliotekat më të pasura të vendit për nga pasuria që zotëron, e kthyer tashmë edhe me sistem dixhitalizimi.

Miranda Sadiku