Biblioteka publike “Qemal Baholli” në Elbasan është një monument i kategorisë së II i shpallur në vitin 2005. Ndodhet shumë pranë qendrës së qytetit dhe është një bibliotekë, e cila ka një numër të konsiderueshëm lexuesish të grupmoshave të ndryshme. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë sektori Elbasan, shkruan se kjo bibliotekë ka një histori të veçantë, pasi godina dhe një pjesë e fondit të librave janë dhuratë. Në materialin e publikuar nga DRTK thuhet se kjo bibliotekë u ndërtua nga Nazif Baholli një ish pronar i njohur në qytet në vitin 1930. Fatkeqësisht një nga djemtë e tij, Qemal Baholli, humbi jetën në moshë të re dhe ai në përkujtim të tij pati idenë për të ndërtuar një vepër kulturore, bibliotekë publike, duke i vendosur emrin e të birit. Kjo vepër u realizua për rreth 2 vjet nga të bijtë e tij pasi ai ndërroi jetë pa e përfunduar këtë ndërtesë.

“Festa e përurimit u organizua në vitin 1953 dhe Biblioteka “Qemal Baholli” ju dorëzua bashkisë duke u bërë një institucion publik në shërbim të zhvillimit kulturor të Elbasanit. Drejtori i parë ishte intelektuali Ibrahim Laçi, i cili krijoi edhe një këshill apo siç quhej në atë kohë komisioni i bibliotekës, me kryesinë e përbërë nga Lef Nosi, Beqir Rusi, Tasim Mufiu etj. Mbas vitit 1945 fondi i saj u pasurua me bibliotekën albanologjike e ballkanologjike, pronë e Lef Nosit (intelektual, atdhetar, politikan e studiues)”, thuhet në material. Godina  e bibliotekës është e konceptuar në dy kate, një kat shërben si fond për ruajtjen dhe arkivimin e librave dhe materialeve të ndryshme, ndërsa kati tjetër ka ambientet e shërbimit, zyrën e drejtoreshës së këtij institucioni si dhe sallën e shërbimeve, salla e leximit për lexuesit, salla e restaurimit të librave si dhe salla e klasifikimit të librave të rinj që vijnë në bibliotekë. Biblioteka shquhet jo vetëm për veprat e rralla, por edhe për koleksionet e fondit të periodikut të periudhës para Luftës II Botërore, ajo numëron rreth 200 000 libra e koleksione periodiku, në gjuhën shqipe e të huaj. Biblioteka e Elbasanit ka një fond prej 200.000 mijë librash nga këto rreth 160.000 janë botime në shqip, 20.000 në gjuhë të huaj dhe 12.000 koleksione të periodikut.