PRISHTINE, 30 qershor /ATSH/ -Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj deklaroi se inspektorët sanitarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) dhe Inspektorët Komunal do të veprojnë me forcën e ligjit kundër atyre që nuk respektojnë masat parandaluese dhe rregullat kundër COVID-19.

Ai tha se rekomandimet parandaluese të IKSHPK-së përfshijnë 22 masa të veçanta, që patjetër duhet të respektohen.

“Mbajtja e maskave të jetë e detyrueshme. Masa të tjera të veçanta që parashihen janë edhe: distanca fizike, dezinfektimi, ajrosja e lokaleve, higjiena, dhe masa të tjera të detajuara për punonjësit, zyrat, institucionet dhe bizneset”, tha Zemaj.

Ministri Zemaj ka paralajmëruar se çdo shkelje e rregullave do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve, dhe si e tillë do të merr përgjigjen ligjore.

“Inspektorët përkatës në terren çdo ditë do të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe do të merren masa përgjegjëse në rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar”, tha ai.

Kosova ka shënuar rritje të numrit të ri të rasteve me koronavirus, ku vetëm në 24 orët e kaluara janë konfirmuar 122 raste të reja.

ATSH