Përdorimi sa më pak i automjeteve për të shkuar në punë apo kryer nevojat e tyre të përditshme ndihmon në uljen e ndotjes së ajrit, ndërsa edhe përdorimi i biçikletave ka ndikimin e saj. Në 3 Qershor, ditën botërore të bicikletave, numri i pedaluesve është rritur në vendin tonë, kjo edhe për shkak të situatës me pandeminë, ku lëvizja e automjeteve ishte e kufzuar.

Një fenomen i tillë është vërejtur edhe në Elbasan, ku përdoruesit e dyrrotakëve të intervistuar nga Tv Skampa, shprehen se e përdorin atë edhe për shkak të përfitimeve që marrin nga lëvizja me biçikletë. Në fakt, pedaluesit në qytetin e Elbasanit kanë edhe fatin e mirë që në bulevardin kryesor të kenë një korsi të dedikuar për ta, duke ua bërë më të lehtë lëvizjen.

Lëvizja me biçikletë nuk është efikase vetëm për uljen e ndotjes së ajrit, por ka përfitime edhe sa i përket shëndetit të njerëzve. Këtë fakt e pohojnë edhe vetë ekspertët, të cilët japin këshilla për të rritur përdorimin e saj. Pedalimi është i vlefshëm si për subjektet e shëndetshme, gjithashtu për ato me patologji të tilla si presioni i lartë i gjakut, mbipesha, diabeti ose kolesteroli i lartë. Pra, të lëvizësh me biçikletë do të thotë të jetosh shëndetshëm.